“Dridhjet”, që po i përjeton Ukraina përmes sulmeve të vazhdueshme nga Rusia, pritet të ndihen edhe në Kosovë, pavarësia e të cilës kundërshtohet nga një ndër shtetet e pakta aleate të Rusisë, Serbia, shkruan Gazeta “Enigma”.
Përpos panikut të krijuar për sigurinë e territorit të Kosovës, pasojat që kjo luftë mund të sjellë në aspektin ndërkombëtar për vendin janë të mëdha.
Nëse situata në Ukrainë përkeqësohet, sipas përfaqësuesve të subjekteve politike dhe analistëve, zhvillimi i dialogut Kosovë – Serbi, do të pamundësohet edhe më tej.
Kjo pasi që aktualisht “sytë” e bashkësisë ndërkombëtare janë zhvendosur në zonën ku po zhvillohet lufta, në Ukrainë.
Mustafa: Logjika e Serbisë, si e Rusisë – Stagnimi i dialogut i konvenon vetëm Serbisë
Ish kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa në një intervistë për Gazetën “Enigma”, ka theksuar se pavarësisht zhvillimeve në Ukrainë, pala kosovare duhet të tregoj gatishmëri për bisedime.
Ndonëse sipas tij logjika e Serbisë është si ajo e Rusisë, si e tillë nuk mund të provohet në Kosovë.
“Pa marrë parasysh agresionin rus në Ukrainë, ne duhet të tregojmë vullnet dhe gatishmëri që ta përmbyllim dialogun me Serbinë. Sepse, vlerësoj se që nga fillimi i dialogut vetëm Serbisë i ka konvenuar prolongimi dhe mbajtja peng e tij. Serbia me kalimin e kohës i ka e ka rikuperuar pozitën diplomatike dhe ekonomike. Ajo do të përpiqet ta prolongojë edhe më tutje dialogun duke e fajësuar Kosovën para BE-së dhe SHBA-së”, ka thënë Mustafa.
Ndërkohë ai ka fajësuar dy krerët institucional Kurtin e Osmanin, se po merren me popullizëm, por jo me zhvillimin konkret të dialogut.
“Ndërkaq Qeveria e Kosovës dhe Presidentja akoma po merren me popullizëm të brendshëm, po iu vjen më lehtë të akuzojnë sesa të nxjerrin ide të bazuara sesi të procedohet me dialogun dhe ta përmbyllim njëherë e përgjithmonë problemin me Serbinë”, ka thënë tutje ai.
Lufta në Ukrainë, zgjedhjet në Serbi – dy pengesat kryesore për dialog
Ndërkohë, përpos zhvillimeve në Ukrainë, edhe zgjedhjet parlamentare në Serbi që pritet të mbahen së shpejti, janë pengesa që do ta stagnojnë dialogun. Kështu ka vlerësuar në një prononcim për “Enigmën”, deputetja, Time Kadriaj.
Sipas saj, fokusi i qeverisë kosovare duhet të jetë në cështjen e sigurisë, marrë parasysh lëvizjet e Rusisë në Ukrainë.
“Në muajin prill janë zgjedhjet në Serbi dhe besoj se nuk do të ketë aktualisht fazë të dialogut, por megjithatë, ne tash duhet të fokusohemi në çështjen e sigurisë, sepse duke e pasur parasysh se ne e kemi një fqinj i cili nuk e ka njohur pavarësinë tonë, dhe në çdo moment minon pavarësinë e Kosovës dhe lobon kundër, dhe duke e ditur edhe afërsinë që Serbia e ka me Rusinë”, ka thënë ajo.
Tutje ajo është shprehur se partia e saj ka kërkuar debat parlamentar për çështjen e sigurisë së vendit, si dhe kanë kërkuar nga ekzekutivi që ta publikohet Strategjia Nacionale e Sigurisë.
Pasojat e luftës në Ukrainë, ku qëndron Kosova?
Njohësi i cështjeve politike, Arton Demhasaj vlerëson se nëse situata në Ukrainë eskalon mund Kjo pasi sipas tij një situatë e tillë, do zhvendoste vëmendjen e diplomacisë botërore kah Ukraina.
“Po e them këtë në aspektin e lartë politik edhe të presionit të madh sepse përndryshe emisarët që janë të dërguar për çështjen e Kosovës ata munden me vazhdu punën e tyre, por në rast se nuk ekziston presioni pak më i madh direkt nga Uashingtoni dhe Brukseli mundet me u prolongu ky proces . Prandaj, mendoj që po mund të ketë pasoja në zvarritje e procesit të dialogut Kosovë-Serbi në arritjen e marrëveshjes në rast se situata atje vazhdon të eskalojë dhe pastaj do të ketë nevojë që Bashkimi Evropian dhe Amerika me u marr më tepër me këtë çështje”, është shprehur Demhasaj.
Edhe analisti Visar Ymeri ka thënë se aktualisht vëmendja e ndërkombëtarëve është tek Ukraina, dhe jo tek dialogu Kosovë – Serbi.
“Aktualisht i tërë opinioni publik perëndimor është i fokusuar në Ukrainë dhe nuk besoj që do të ketë përqendrim në dialogun Kosovë – Serbi. Faktor tjetër pastaj është edhe ndikimi që kjo luftë në Ukrainë do të ketë në rajon dhe në sjelljet e vendeve të rajonit”, ka thënë Ymeri.
Ndërkaq pak ditë më parë në Bruksel është mbajtur një takim në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.
Ndërsa, që nga korriku i vitit të kaluar nuk ka pasur takim të nivelit të lartë në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. / Gazeta Enigma.