Një luftë ka nisur në Evropë tash e nëntë ditë. Në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit, Rusia ka filluar sulmet në territorin e Ukrainës. Kjo situatë ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Para dy ditësh, çmimi i thëngjillit ka arritur nivel rekord. Por, a duhet ta shfrytëzojë Kosova këtë situatë dhe ta shesë thëngjillin, kur dihet se ka shumë rezerva?
Çmimi i thëngjillit ka arritur në nivel rekord, pas luftës në Ukrainë. Para dy ditësh, mediat ndërkombëtare kanë raportuar se çmimi aktual është 400 dollarë. Rusia është eksportuesi i tretë i thëngjillit, por ajo si iniciatore e luftës po përballet me sanksine të ashpëra dhe vështirë se mund të eksportojë për shkak të ndalesave që i janë bërë.
Kosova ka shumë rezerva të thëngjillit dhe do të mund të shfrytëzonte këtë situatë që ta shiste me çmim shumë të leverdishëm. Por, deri tash askush s’e ka diskutuar këtë punë publikisht.
Gazeta Express ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrinë e Ekonomisë për të marrë informacione nëse po e shqyrtojnë mundësinë e shitjes së thëngjillit apo janë duke negociuar me ndonjë shtet. Deri në momentin e publikimit të këtij teksti s’ka pranuar përgjigje nga asnjëri institucion.
Për këtë opsion janë deklaruar njohësit e fushës.
Për deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajramin, s’ka asgjë të keqe që Kosova t’iu shesë thëngjill shteteve të tjera, nëse ka kapacitete të mjaftueshme të mihjes.
Madje, shitja në këtë moment, thotë se do të ishte vendim i duhur.
Paratë që do të merren nga shitja e thëngjillit, ajo sugjeron të përdoren për ta lehtësuar barrën e krizës energjetike në vend.
“Tani që Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dihet botërisht, por kapacitetet e mihjes mund të jenë pengesë, për këtë pyetje përgjigjën adekuate duhet ta japë ME. Nëse kemi kapacitete të mjaftueshme të mihjes, nuk ka asgjë të keqe që Kosova të shesë thëngjill me çmime të leverdishme dhe këto të hyra t’i përdorë për të lehtësuar barrën e krizës energjetike në vend.
Ne e dimë që jemi pak hapa larg kur duhet të fillojmë edhe pagesën e taksës për emetimin e karbonit, kur për ne thëngjilli do të bëhet pothuaj i papërballueshëm për shfrytëzim andaj shitja në këtë moment do të ishte vendim i duhur”, ka thënë Bajrami për Express, përcjell Gazeta Enigma.
Edhe ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri, thotë se s’ka kurrfarë pengese për shitjen e thëngjillit nëse ka kërkesa.
Ai ka përmendur edhe një kërkesë që Maqedonia e Veriut e kishte bërë në fund të vitit të kaluar për blerje të linjitit, por që thotë se se di pse nuk është filluar me shitjen ende.
“Ka pasë edhe kërkesa nga Maqedonia për blerje te lignitit por asnjëherë nuk e di pse nuk është fillu me shitjen. Ndoshta nuk ka qenë e përgatitun miniera për nxjerrje? Nuk ka kurrëfarë pengese për shitje, nëse ka kerkesa. Tash ish dashtë me i marrë në përgjegjesi ata që e penguan dhe e degraduan realizimin e Projektit “Kosova C” i cili ka qenë i gatshem për fillim të ndërtimit qysh në fillim të 2008”, ka thënë Shatri.
Por, këtë ide se përkrah ish-ministri i Energjetikës, Ethem Çeku, i cili ka një sugjerim tjetër.
Ai thotë se ky moment është ideal për Kosovën që ta rikthejë projektin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova C”.
“Për bindjen time, momenti më ideal i ka ardh Kosovës në këtë fatkeqësi që po ndodhë mes Ukrainës dhe Rusisë dhe me ndërprerjen dhe ndërhyrjen e Gazpromit dhe përdorimin e energjisë për diplomacinë e vendeve të evropës perëdimore, Kosovës i ka ardh rasti më i mirë për të rikthyer projektin e ndërtimit të blloqeve të reja të energjisë, një projekt që ka qenë i dizajnuar.
Kosova mund ta afron tani mundësinë për ndërtimin e termocentraleve të reja, të cilat mund të ndikojnë në zvogëlimin e mungesës së energjisë në tregjet e Evropës dhe njëkohësisht që ta rrit këtë profit. Unë jam për idenë që Qeveria e re Kosoëvs, kjo qeveri duhet ta shtyjë ndërtimin e projektit të termocentralit, që ka qenë Kosova C”, ka thënë Çeku.
Pas luftës në Ukrainë, Çeku thotë se Kosovës i është ofruar një hapësirë që ta faktorizojë linjitin për ta plasuar në tregjet e jashtme, por jo si lëndë të parë.
Sipas tij, Qeveria duhet të fillojë negociatat me kompanitë e mëdha për t’i ndërtuar termocentralet e reja në vend.
Ish-ministri thotë se pasuritë natyrore duhet të jenë faktor i diplomacisë.
“Tani çmimet në treg të energjisë janë rritur disafish. Lufta Ukrainë-Rusi po bëhet edhe për çështje strategjike, por po bëhet edhe për problemet e energjisë. Faktori themelor në këtë lojë është Gazpromi. E keni parë se sa qeveria gjermane hezitonte të merrte veprime ndaj Rusisë për shkak të ndërlidhshmërisë që e ka ekonomia gjermane.
Rrreth 50 përqind e ekonomisë gjermane varet nga gazi rus dhe neve na ka ardh rasti, në këtë fatkeqësi, na ka ardh një hapësirë për me e faktorizu linjitin e Kosovës, që të plasojmë në tregjet e jashtme si produkt final, e jo si lëndë të parë, por si produkt final. Ideja ime që është që Qeveria e Kosovës, kjo qeveri duhet të fillojë negociatat me kompanitë e mëdha, qoftë gjermane apo kompani që shprehin interesim, për t’i ndërtuar termocentralet e reja në Kosovë, që t’i plotësojmë nevojat tona dhe njëkohësisht të dalim në tregjet e jashtme. Dmth. pasuritë natyrore të jenë faktor i diplomacisë së Kosovës”, ka thënë Çeku.