Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e njëmbëdhjetë dhe situata po vazhdon të jetë e rënduar, ani pse këto dy vende u dakorduan për armëpushim, shteti ukrainas ka filluar evakuimin e civilëve, armëpushim i cili nuk po respektohet nga Rusia, shkruan Gazeta Enigma.
Situata aktuale e krijuar në Ukrainë, po e detyron Kosovën produktet që i ka importuar deri tash nga ky shtet, t’i kërkojë nëpër vende të tjera.
Sipas statistikave që Dogana e Kosovës i ka dërguar Gazetës Enigma, vetëm gjatë këtyre dy muajve, vendi ynë ka importuar produkte nga ky shtet në vlerë prej 5 milionë eurove.
Ndërsa, vlera e mallrave ukrainase, të importuara në vitin 2020, ka qenë rreth 19 milionë euro, kurse vitin e kaluar kjo vlerë gati është dyfishuar mbi 36 milionë euro.
Mallrat që Kosova ka eksportuar në Ukrainë vitin e kaluar kanë kapur vlerën e mbi 22 mijë eurove, ndërsa në vitin 2020 mbi 70 mijë euro.
Produktet që importohen më së shumti nga ky shtet janë kryesisht ato të tekstilit por edhe ato ushqimore.
Pula të therura e të pastruara, arra, çokollata, grurë, misër, biskota, vaj ushqimor luledielli, sheqer e gjalpë janë vetëm disa prej produkteve ushqimore me të cilat janë furnizuar kosovarët nga ky shtet.
Përveç këtyre produkteve, kosovarët furnizohen nga Ukraina edhe me pasqyra, enë, gota, kavanoza, llamarina, ventilatorë, zile, llamba, mobile dhe lodra.
Nuk ka munguar edhe mielli, kafe, çaj, vaj, tekstil dhe qeramikë.
“Kosova të hartojë një strategji për mbrojtjen e ekonomisë së vendit”
Eksperte e ekonomisë, Yllnore Bytyqi – Shala thotë se ekonomia e Kosovës mund të ketë inflacion mbi 10% ndërsa për produktet që ka importuar mund të rriten çmimi apo në rastin më të rënd mund të ketë mungesë klasike e produkteve që i kanë konsumuar deri tani.
“Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një strategji për mbrojtjen e makro dhe mikroekonmis duke krijuar rrugë të reja të tregtaris ekonomike ndërsa të ftojë investitor që fokusin e kanë prodhimin e produkteve bujqësore”, vlerëson Bytyqi – Shala për Gazetën Enigma.
Tutje ajo shton se “në anën tjetër Ministria e Bujqësisë të subvencionoj 70% të mbjellurave duke rritur stabilitetin e ushqimit me thekse të veçantë miellin dhe misrin”.
Ndryshe, që nga fillimi i kërcënimeve disamujore për pushtimin e Ukrainës, qeveria kosovare shprehi përkrahjen për shtetin ukrainas, ani pse kjo e fundit ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë, të enjten në seancën e rregullt plenare, deputetët e Kuvendit të Kosovës shprehën sërisht mbështetjen e tyre për Ukrainën.
Deputetët kosovarë thanë se “Qëndrojmë me Ukrainën”, ndërsa u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të civilëve të vrarë ukrainas në një javë pushtim.
Në Kuvend është paraparë të diskutohet dhe miratohet një rezolutë për t’i kërkuar pesëshes së vendeve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë.
Gjithashtu në këtë seancë, pozitë e opozitë u bënë bashkë për ta dënuar agresionin rus në Ukrainë, ku me 94 vota për, asnjë kundër, miratuan rezolutën që dënon agresionin rus mbi popullin e Ukrainës./GazetaEnigma/