Dita ndërkombëtare e gruas, e cila shënohet më 8 mars, tashmë ka marrë konotacione të ndryshme të kuptimit të saj gjithandej globit, shkruan Gazeta Enigma.
Komercializimi e ka bërë këtë ditë feste. Si në Kosovë, e në përgjithësi në Ballkan, ashtu edhe në Argjentinë, 8 marsi, ‘festohet’ duke iu blerë lule apo dhurata të tjera grave.
Ndërsa, brendet e famshme të veshjeve dhe kozmetikës e kanë shndërruar këtë datë në ditë të eventeve të promovimit dhe shitjes së produkteve të tyre. Megjithatë, arsyeja kryesore e celebrimit të 8 marsit është shumë larg nga këto.
Realisht kjo datë ka një histori të gjatë të sfidave nëpër të cilat kanë kaluar gratë, duke kundërshtuar sistemet e ndryshme politike, me protesta e revolucione.
Ishte viti 1909, kur rreth 15 mijë gra të qytetit të New York City-t, protestuan për orarin e gjatë të punës, pagat e vogla dhe mungesën e të drejtës për të votuar.
Drejtuar nga Partia Socialiste e Amerikës, kjo protestë ishte fillimi i një epoke të re për gratë, të cilave padrejtësisht u mohohej e drejta të ishin të barabarta me burrat, vetëm për shkak të gjinisë.
Shkrimtarja amerikane, Charlotte Perkins Gilman, në këtë protestë, i tha kongregacionit të Kishës Parkside: “Është e vërtetë që detyra e një gruaje është e përqendruar në shtëpinë e saj dhe amësinë por shtëpia duhet të thotë i gjithë vendi, dhe jo të kufizohet në tre ose katër dhoma ose një qytet ose një shtet”.
Deri atëherë e quajtur ‘Dita nacionale e gruas’, e cila në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shënua çdo të diel të fundit të muajit shkurt, pas rreth dy vjetësh filloi të shënohej edhe në Europë.
‘Dita e gruas’ filloi të shënohej në vitin 1911. Një vit pasi në mbledhjen Socialiste Ndërkombëtare në Kopenhagën, u vendos që kjo ditë të festohej në gjithë botën, për nder të lëvizjes së grave për të drejtat e e tyre dhe për ti mbështetur gratë në njohjen e statusit të tyre në shoqëri.
Më 19 mars 1911 u mbajt Dita e Parë Ndërkombëtare e Gruas, duke tërhequr më shumë se 1 milion njerëz në tubime në gjithë botën. Gratë kërkonin të drejtën e votimit, qeverisjes, të edukimit, të punës si dhe ndalimin e diskriminimit në punë.
Ndërsa, në 1913 të dielën e fundit të muajit shkurt, gratë ruse festuan Ditën e Gruas, si pjesë e manifestimeve për paqe. Në pjesë të tjera të Evropës, në 1914, kjo ditë filloi të festohej në 8 mars, shoqëruar me mbledhje dhe manifestime kundër Luftës së Parë Botërore.
Megjithatë, vetëm pas grevës së urisë të mbajtur për 4 ditë, nga gratë ruse në të dielën e fundit të shkrutit të vitit 1917, qeveria i dha grave në Rusi të drejtën e votës.
Kjo ngjarje ndodhi në 23 shkurt me kalendarin Julian, i cili përdorej në atë kohë në Rusi. Sipas kalendarit Gregorian, i cili përdorej kudo në botë, kjo date bie në 8 mars.
Që nga ajo ditë, ‘Dita ndërkombëtare e gruas’, shënohet me 8 mars, në të gjithë botën. Pra, në këtë ditë reflektohet mbi kurajon dhe veprimet e grave nga e gjithë bota, të cilat luajtën rol të rëndësishëm në historinë e të drejtave të grave.
Kombet e Bashkura si dhe organizatat e ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, të cilat merren me të drejtat e njeriut, e specifikisht me të drejtat e grave, vazhdimisht bëjnë kampanja vetëdijësuese për të drejtat e grave.
Ndërsa, Rrjeti i Grave të Kosovës ka ftuar qytetarët që më 8 mars, në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, të marshojnë për të drejta socio-ekonomike si parakusht për një shoqëri të barabartë dhe me mirëqenie, si pjesë e kampanjës “Marshojmë, s’festojmë”, së bashku me OShC të tjera dhe aktivistë për të drejtat e grave në Kosovë./Gazeta Enigma/