Të hënën u organizua aksioni i koduar “Pika”, cak i të cilit ishin zyrtarët e kufirit në Rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, shkruan Gazeta “Enigma”.
Tashmë është raportuar se janë arrestuar rreth 50 zyrtar policor, në mesin e tyre dy udhëheqësit e pikave kufitare Qafë Prush dhe Qafë Morinë si dhe dy oficerë doganorë.
Sipas IPK-së, aksioni “Pika” i nisur në orët e para të mëngjesit është përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.
Zyrtarët e arrestuar dyshohen për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme që lidhen me veprat penale: “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i të një numri të zyrtarëve pozitës apo autoritetit zyrtar”.
E lidhur me këtë Gazeta “Enigma”, ka kontaktuar me kryetarin e Sindikatës së Policëve, Imer Zeqiri.
Zeqiri deklaroi se kanë kërkuar nga organet kompetente të dhëna të detajuara lidhur me arrestimin e tyre.
“Ne ende nuk kemi marrë informacione të mjaftueshme se si ka ndodhur dhe pse ka ndodhur aksioni. Mirëpo neve si sindikatë do të kërkojmë sqarime dhe monitorim rreth rastit, do të kërkojmë arsyen e arrestimit të këtyre zyrtareve pa tentuar të ndikojmë në hetime”, tha ai.
Ndërkohë ai ka thënë se shpreson që janë zhvilluar hetime paraprake për veprimtarinë e tyre nga ana e prokurorisë, sepse në të kundërtën sindikata që udhëheq ai do të reagoj ashpër.
“Edhe këta zyrtar që janë arrestuar sot janë vetëm të dyshuar dhe nuk mund të themi se janë fajtor pa përfundim të hetimeve. Derisa gjykata nuk merr një vendim të prerë ata të gjithë janë të pafajshëm. Sigurisht që ata hetues kanë hetuar diçka, unë po shpresoj se nuk i kanë arrestuar pa hetime, sepse nëse janë arrestuar këta zyrtar pa një hetim paraprak atëherë ne si sindikatë do të reagojmë shumë ashpër”, theksoi ai.
Ndërkaq, Prokurori i Shtetit ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme lidhur me operacion e koduar me emrin “Pika”, që është zhvilluar në rajonin e Gjakovës dhe të Prizrenit.
Sipas njoftimit konferenca do të mbahet nga ora 15:00. / Gazeta Enigma.