Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka reaguar të mërkurën për aksionin “Brezovica” që Policia e Kosovës e vazhdoi edhe sot, duke arrestuar një doganier dhe kryetarin e bordit të “Ski Center Brezovica”.
Vuçiq është ankuar që Policia e Kosovës, sipas tij, hyri në disa shtëpi serbe në Shtërpcë e Brezovicë.
Sipas tij, qëllimi i këtij aksioni nuk është lufta kundër krimit dhe korrupsionit por “krejt çështje tjetër”.
Ai, siç shkruajnë mediat serbe, tha se qëllimi i institucioneve të Kosovës është ta “pastrojnë” jugun e Kosovës nga serbët “që ata të mos mbijetojnë”.
Presidenti serb e shfrytëzoi mundësinë që sërish të kërkojë vota para zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi, duke akuzuar opozitën serbe e duke u mburrur.
“Është mësim për ne që të kujdesemi që të paktën në përmasa të tilla të mos na ndodhin më tragjedi në Kosovë”, tha Vuçiq.