Mbi 600 mijë Euro dyshohet të jetë dëmtuar buxhet i shtetit të Kosovës nga tre kompani derivatesh të cilat dyshohet se u janë shmangur taksave të shtetit. Kjo, sipas Doganës së Kosovës ka ndodhur duke u falsifikuar dokumentet nga ana e tre kompanive të derivateve, të cilat dyshohet se si rrjedhojë jashtëligjshëm janë liruar nga taksat për derivate për disa vite me radhë.
Tre kompanitë e dyshuara për shmangie tatimesh janë HIB Petrol, Fer Petrol dhe Alfa Trade, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Tre pikat kryesore të këtyre kompanive u bastisen mbrëmë nga Dogana dhe Policia e Kosovës, me ç’rast aksioni rezultoi me tre zyrtarë të këtyre kompanive të arrestuar.
Disa orë pas aksionit, Dogana e Kosovës njoftoi se ka zbuluar shmangie taksash nga të tri kompanitë e derivateve, të cilat sipas njoftimit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej mbi 600,000 euro.
“Nga ky aktivitet zyrtarët doganor kanë gjetur dyshime për shmangie taksash nga tri subjekte që operojnë në fushën e tregtisë me derivate të naftës. Si rezultat është zbuluar lirimi i bazuar në dokumente të falsifikuara ndër vite, fillimisht nga këto tri subjekte që kanë deklaruar edhe ndërlidhjen mes vete. Dyshimi është se këto subjekte kanë liruar në import derivate duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 600 mijë euro gjatë tre viteve të fundit”, thuhej në njoftim.
Dyshohet se tre kompanitë e derivateve kanë nxjerrë jashtëligjshëm në shitje për qytetarët derivatet e e parapara për ambasadat në Kosovë të cilat janë të liruara nga akciza.
HIB Petrol, kompanie e përfshirë në këtë aferë, me bazë në Ferizaj, është një nga rrjetet më të njohura të derivateve në Kosovë. Sipas të dhënave në ARBK, HIB Petrol është në pronësi të “HIB Holding”. Kjo e fundit është e regjistruar 100% në pronësi të biznesmenit të njohur Ibrahim Bucaliu.
HIB Holding po ashtu rezulton se është pronar edhe i Hotel Emerald, një nga hotelet më me zë dhe luksoze në Prishtinë.
Përveç HIB Petrol, në aferën 600 mijë Euroshe për shmangie të tatimeve, rezulton të jetë e dyshuar për përfshirje edhe “Fer Petrol”, kompani kjo e regjistruar si biznes individual, në emër të pronarit të saj Mehdi Gjoka, nga Drenasi.
Ky i fundit, i afërt me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, ku edhe ndodhet baza kryesore e këtij biznesi që ka përfituar milionat përmes tenderëve në këtë komunë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Alfa Trade” është kompania e tjetër e derivateve përfshirë në këtë aferë. Në ARBK kompania del të jetë në pronësi të biznesmenit Hajdar Hajdari. Ky i fundit, vëllai i Isa Hajdarit, ish-kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së.
Mehdi Gjoka dhe Hajdar Hajdari, gjithashtu janë dy nga tre të arrestuarit në aksionin e mbrëmshëm, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Derisa i treti është Fatbardh Xhaferi, menaxheri i kontratave në “Hib Petrol”.https://reporteri.net/reklamap/www/delivery/afr.php?zoneid=19&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE
Nga tre kompanitë e dyshuara, për aksionin dhe aferën deri më tani ka folur vetëm HIB Petrol.
“Sot me datë 18 Mars 2022 HIB Petrol shpk është njoftuar në lidhje me dyshimet dhe hetimin e një skeme të keqpërdorimit të emrit dhe të autorizimeve, dhe e cila skemë mund të përfshijë një punonjës të HIB Petrol ShPK që ka vepruar individualisht dhe për interesa personale. Në këtë drejtim, HIB Petrol ShPK që ka cilësinë e palës së dëmtuar, është në bashkëpunim të plotë me organet shtetërore duke tentuar që të bëjë sqarimin e plotë të ngjarjeve dhe të personave përgjegjës. Në këtë drejtim, HIB Petrol ShPK ka ofruar tërë mbështetjen dhe dokumentacionin të cilin e ka pasur në dispozicion sidhe bashkëpunimin e plotë me qëllim të zbardhjes së plotë të ngjarjes”, thuhet në reagimin e tyre të lëshuar mbrëmë.