Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka caktuar takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të marten në ora 10:00, shkruan e përditshmja serbe “Danas”.
Sipas informacioneve të kësaj gazete serbe, në këtë mbledhje njëra nga temat do të jetë “refuzimi që të mbahen zgjedhjet serbe të 3 prillit në Kosovës nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”.
Ndër temat e tjera shkruhet të jenë kërcënimet për sanksione ndaj Serbisë pas mossreshtimit të kësaj të fundës me sanksionet perëndimore vendosur Rusisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka thënë se “nuk duam që tua pamundësojmë qytetarëve të Kosovës që mund të kenë edhe pasaporta të Serbisë të drejtën e tyre të votës”.
“Jemi optimist për rrugën përpara. Mund të ketë dikush qe dëshiron destabilizim, ekscese, incidente, mirëpo këtë nuk do ta gjeni në radhët e popullit të Kosovës dhe as të institucioneve të Republikës”.
Sipas Kurtit në zgjedhjet e 3 prillit, Qeveria dëshiron që në Kosovë të respektohet kushtetuta, ligji dhe rezoluta e 15 janarit.
Ndërkaq edhe zv/kryeministri, Besnik Bislimi, ka thënë se janë në kontakt me shtetet e QUINT-it për këtë gjë, por se së pari Serbia duhet të dërgojë kërkesë zyrtare Kosovës për një gjë të tillë, të cilën Serbia nuk e ka bërë.
Lejimin e qytetarëve të Kosovës që kanë shtetësi serbe, ia kanë kërkuar kryeministrit edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Derek Chollet, këshilltari i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ditë më pari zhvilloi një bisedë telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku kryefjala e bisedës ishte krijimi i mundësisë që qytetarët serbë të Kosovës të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë me tre prill. / Gazeta Enigma