Kryesia e Kuvendit të Koosvës e ka proceduar në Qeveri propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimet ligjore që iu mundëson qytetarëve tërheqjen e kursimeve pensionale në Trust.
Pro këtij propozimi janë edhe deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti, dolën sot grupi parlamentar i Vetëvendosjes.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të KosovësDK-së, Abelard Tahiri tha se qeveria ka afat një muaj që ta shqyrton kërkesën e kryesisë për Trustin.
Por, Tahiri kërkon nga ekzekutivi që këtë çështja ta trajton që në mbledhjen e parë, që mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti deri 30 për qind.
“PDK dhe grupi parlamentar i saj kanë propozuar tërheqjen edhe të një sasie të caktuar nga Trusti, pikërisht për ato familje që vërtet e kanë problem që t’ia dalin me të ardhurat e tyre më i mbuluar shpenzimet mujore. Ne e kemi nis plotësim ndryshimin e këtij projektligji. Ky projektligj sot i shkon Qeverisë së Kosovës. Qeveria i ka afat një muaj më së largu që t’i kthej përgjigje Kuvendit të Kosovës. Nëse jo, ky projektligj hyn në procedurë parlamentare”.
“Mirëpo, ne i kërkojmë Qeverisë së Kosovës, duke pasur parasysh faktin që jemi në një situatë shumë të rëndë ekonomike dhe të papërballueshme me rritjen e kostos së madhe të jetës në Kosovë, mos ta pret qeveria të bëhet një muaj, por ta trajtojë qysh në mbledhjen e parë kur do t’i shkojë nga Kryesia e Kuvendit. Nga kryesia i shkon sot, dhe ne besojmë që në këtë javë mund ta trajtojmë çështjen e tërheqjes së Trustit nga qytetarët të cilët e kanë vështirë ta kalojnë muajin me të ardhurat që kanë si rezultat i ngritjes së çmimeve të produkteve esenciale, të naftës dhe energjisë”.
Ndërsa, kryetarja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, tha se si grup parlamentar nuk e mbështesin tërheqjen e mjeteve të Trustit.
Deputetja theksoi se ka mënyra të tjera për t’i ndihmuar qytetarët në këtë krizë me çmimet.
“Jo nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë. Vetë koncepti i Trustit ka të bëjë me ruajtjen e një mirëqenie të qytetarëve pas moshës 65-vjeçare, kur ata përfundojnë kontributin e tyre për fondin pensional”, tha ajo.
“Ne do të diskutojmë modalitete tjera. Kemi pasur një pako enorme të ndihmës të rimëkëmbjes ekonomike, nga qershori i kaluar, dhe këtë vit janë shtuar, siç është rasti në mbështetjen e fëmijëve, lehonave. Ballafaqohemi me një ekonomi që është shumë fragjile. Fokusi mbetet në mbështetjen e ndërmarrjeve prodhuese”, u shpreh Kusari-Lila.
LEXO EDHE: Vetëvendosje nuk e mbështet iniciativën e PDK-së për tërheqjen e 30 përqind të Trustit
Kurse, kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri pas mbledhjes së kryesisë, theksoi se gjendja ekonomike në vend mbetet e vështirë.
Ai ndër të tjera ka kërkuar nga Qeveria miratimin e ligjit për rritjen e pagës minimale në 400 euro, miratimin e Ligjit të pagave, si dhe ndryshimi i ligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti. /Gazeta Enigma/.