Kryeministri Albin Kurti foli në seancën e Kuvendit të Kosovës që shënon 23-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, me ç’rast tha se intervenimi ushtarak i NATO-s ishte i drejtë dhe i domosdoshëm.
Kurti foli për rrezikun e luftës në Ballkan, duke theksuar se Kosova “nuk është e pavëmendshme”,
Ndërsa përmendi shifrat tragjike të të vrarëve, grave të dhunuara dhe të zhdukurve me dhunë nga vendi, Kurti theksoi se ende nuk është vendosur drejtësia.
“Në vend se t’i hapë arkivat shtetërore, pushtetarët e Serbisë e arsyetojnë Millosheviqin dhe e akuzojnë NATO-n”, tha ai.
Kryeministri tha se “askush sikurse populli i Kosovës nuk e sheh ngjashmërinë e asaj që na ka ndodhur neve me kontestin në Ukrainë”.
“NATO-ja, shtetet e NATO-s duhet ta ndihmojnë shtetin e Ukrainës sepse ata po e mbrojnë gjithë kontinentin”, tha ai.
Kurti tha se Sekretarja amerikane e Shtetit atëherë, Madeleine Albright kishte parashikuar “në mënyrë profetike” rrezikun që i kanosej Europës dhe botës nga presidenti rus Vladimir Putin.
“Historia i dha të drejtë zonjës sekretare, Albright sepse intervenimi i NATO-s i dha fund iluzioneve të Millosheviqit”, tha ai.
Kosova po bëhet gjithnjë më e aftë për t’iu bashkuar NATO-s, tha Kurti, duke shtuar se kjo duhet të ndodhë.
“Kosova nuk do luftë, por gjithashtu nuk është e pavëmendshme ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve të sigurisë në rajon dhe në botë”, tha ai ndër tjerash.