Jakup Ismaili është dëshmitari i tretë i mbrojtjes së ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.
Para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ai po përgjigjet në pyetjet e avokatit të Mustafës, Julius Von Bone rreth aktivitetit të tij në vitin 1999 në Kosovë.
Ismaili ka thënë se në vitin 1999 është marrë me çështje që lidhen me ndihma humanitare duke theksuar Këshillin Komunal të Emergjencave.
“Në Prishtinë kanë qenë të zhvendosur popullata e cila është shpërngulë në rajone të tjera të luftës, siç ka qenë rajoni i Drenicës, Dukagjinit dhe rajoneve të tjera, ka qenë domosdoshmëri me formu një këshill të emergjencave për me ndihmu atë popullatë. Popullata strehohej nëpër familje tona së pari mandej edhe nëpër familje nëpër fshatra, në përgjithësi në Prishtinë dhe rrethinë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtjes.
Ai ka thënë se këshilli është furnizuar nga njerëzit bamirës, nga qeveria e përkohshme dhe organizatat si Nënë Tereza dhe Kryqi i Kuq.
“Këshilli komunal i emergjencave është themeluar nga këshilli republikan, qeveria e përkohshme që ka qenë në ekzil i ka dërguar mjetet dhe e ka financuar, përveç ndihmave nga bamirësit. Janë blerë të gjitha produktet e nevojshme dhe kanë filluar me u shpërnda”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se selia e këtij këshilli ishte e vendosur në një shtëpi private në lagjen Velania në Prishtinë dhe se Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë në strukturat organizative të këtij këshilli.
“LDK ishte e përfshirë në strukturat organizative të Këshillit të Emergjencës shumica e aktivistëve të cilët kanë ekzistuar edhe më herët kanë qenë të përfshirë, për me mujt me përfshi terrenin nëpër gjithë Kosovën”, ka thënë Ismaili.
Duke folur për rolin e tij në atë kohë, Ismaili ka thënë se vet ka qenë aktiv në shpërndarjen e ndihmave.
Jakup Ismaili është dëshmitari i tretë i mbrojtjes në gjyqin ndaj Salih Mustafës, i cili është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues Mustafa është deklaruar i pafajshëm. /Gazeta Enigma.