Gjatë muajit të Ramazanit personat që merren me sport, sidomos ata që merren me fitnes, janë në dilema se a duhet të ushtrojnë, nëse po, kur dhe çfarë ushqimi duhet të hanë.
Flamur Grabovci, trajner i fitnesit dhe kampion i katërfishtë i Kosovës në bodybuilding në një intervistë për Gazetën Enigma, tregon se gjatë muajit të Ramazanit duhet të vazhdohen stërvitjet, duke mos pauzuar për një muaj.
“Pasi këtë javë jemi në javën e parë të muajit të shenjtë të Ramazanit, unë si trajner i fitnesit e kam obligim dhe do të mundohem t’ia ofroj një plan të mirë të ushtrimeve fizike të fitnesit. Shumica prej juve mendoni që humbni shumë muskuj ose peshë gjatë muajit të Ramazanit dhe i ndërpresin ushtrimet, por kjo gjë është gabim, sepse nuk i humbim muskujt dhe duhet t’i vazhdojmë ushtrimet”, tregon Flamur Grabovci.
Grabovci thotë se është sfidë e madhe për personat që merren fitnes të ushtrojnë në muajin e Ramazanit.
“Marrja e ushqimit është një nga pjesët më të rëndësishme në bodybuilding kurse gjatë agjërimit ndalet vaktet e rregullta të ushqimit dhe pijet, kështu që ky muaj është sfidë për çdo bodybuilder dhe sportistët që meren me fitnes, pasi të gjithë ata që ushtrojnë dëshirojnë ta ruajnë madhësinë dhe fuqinë e tyre”, thotë Grabovci kampion i dyfishtë i Zvicrës në Bodybuilding.
Ata që agjërojnë kanë shumë përfitme shëndetësore në muajin e Ramazanit, tregon Grabovci i cili merret me fitnes që nga mosha 16-vjeçare.
“Agjërimi ka shumë përfitime shëndetësore në përgjithësi si për shembull: ul rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, çrregullimet imunitare, përmirëson nivelin e kolesterolit, zvogëlon stresin, ndikon në humbjen e peshës, bën pastrimin e trupit”, zbulon Grabovci për Gazetën Enigma.
SI DUHET TË STËRVITEMI GJATË AGJËRIMIT
Koha ideale për t’u stërvitur në fitnes gjatë muajit të Ramazanit është 2-3 orë pas iftarit, sipas trajnerit të fitnesit Flamur Grabovci.
“Koha më e mirë dhe më ideale për stërvitje gjatë Ramazanit është 2-3 orë pas iftarit. Ju duhet të stërvitni sa për ta mbajtur nivelin tuaj. Trupit tuaj i duhet një pushim, është muaji ku ka shumë të mira për trupin e njeriut. Gjatë këtij muaji jepni më shumë kohë për shërim siç janë ligamentet, nyjet si dhe muskujt të cilët kanë nevojë për pushim, pasi ato janë trajnuar gjatë tërë vitit pa pushim”, sugjeron trajneri i fitnesit, Flamur Grabovci.
36-vjeçari nga Gjilani i cili është trajner i fitnesit në fitnesin “Five Star” në Gjilan, thotë se gjatë muajit të Ramazanit ata që agjërojnë nuk duhet të stërviten fuqishëm, pasi sheqeri në gjak është shumë I ulët gjatë agjërimit.
“Nuk duhet të stërvitemi fuqishëm, pasi që mund të na shkaktojë dehidrim, lodhje dhe ndonjë lëndim. Nëse dëshironi që ta mbani formën tuaj të trupit, duhet të stërviteni gjatë agjërimit, por këtë bëjeni me një intensitet shumë më të ulët. Sheqeri në gjak është shumë i ulët gjatë agjërimit, pas iftarit duhet të konsumoni proteina dhe karbohidrate për të parandaluar humbjen e muskujve”, tregon Grabovci.
Ai thotë se gjatë Ramazanit duhet të ndërrohet plani i stërvitjeve dhe të përzihen ushtrimet.
“Në Ramazan është koha më e mirë për ta ndryshuar planin e stërvitjeve dhe atë duke filluar me përzierje të ushtrimeve të gjithë trupit. Unë iu sugjeroj që gjatë Ramazanit të stërvisni tri deri në katër herë në javë, varet prej juve sa keni forcë dhe energji”, tregon ai.
Grabovci zbulon se cilat suplemente duhet të përdoren gjatë muajit të Ramazanit për ta mbajtur trupin në formë.
“Para stërvitjeve nëse përdorni proteina, unë iu sugjeroj të përdorini C4, për shkak që duhet forcë dhe energji para ushtrimeve. Mbas ushtrimeve vazhdon me ëhey protein, BCCA e përdor tri orë pas ushtrimeve që të jenë muskujt sa më të ushqyer. Gjithashtu mos harroni t’i pini dy litra ujë gjatë ushtrimeve pasi trupi dehidrohet”, tregon ai.
ÇKA DUHET TË HAMË GJATË RAMAZANI KUR STËRVISIM NË FITNES
Flamur Grabovci tregon se çka duhet të konsumojmë gjatë ramazanit në mënyrë që të marrim
Ai thotë se ushqimi duhet me u kontrollu ushqimi dhe të konsumojmë proteina dhe karbohidrate.
“Ushqimi duhet të jetë i kontrolluar, metabolizmi nuk i njeh festat tona, për atë arsye duhet me pas kujdes dhe të ushqehemi sa më shëndetshëm. Ushqimi i iftarit duhet të jetë me përmbajtje 30 % proteina dhe 70 % karbohidrate. Kurse syfyri duhet të jetë ushqim i lehtë dhe të meren më shumë proteina deri në 70% për shkak që llogaritet ushqim i mëngjesit”, tregon ai.
Grabovci tregon se cilat ushqime kanë proteina dhe cilat ushqime kanë karbohidrate.
“Disa nga ushqimet që kanë proteina janë vezët, bajamet, gjoksi i pulës është njëri nga ushqimet më të pasura me proteinë nëse e hani pa lëkurë, gjiza e cila ka është përplot me kalcium, fosfor, selen, vitaminë B12, vitaminë B2 dhe nutrient të tjerë të ndryshëm, qumështi, brokoli, mishi i kuq, tuna dhe kikirikë. Këto janë vetëm disa nga ushqimet që iu propozoj t’i konsumoni gjatë Ramazanit nëse dëshironi të merrni proteina”.
“Furnizimi kryesor i karbohidrateve është furnizimi i trupit me burim energjie. Trupi i shërben ato duke I kthyer në glukozë që përdoret si furnizim energjie. Ato janë karburanti kryesor për muskujt aktiv. Patatet, perimet, drithërat e plota janë disa prej ushqimeve që kanë karbohidrate të plota”.
Muaji i Ramazanit ka filluar më 2 prill (e shtunë) dhe do të përfundojë më 1 maj (e diel). Dita e parë e Fitër Bajramit është më 2 maj (e hënë)./GAZETA ENIGMA/