Myslimanët në Ukrainë po agjërojnë, derisa lufta po vazhdon të zhvillohet.
Ata janë shprehur se ky Ramaza është krejt ndryshe me ata që kanë kaluar.
“Si mund të jesh normal ndërsa dëgjon vazhdimisht sirena dhe shikon imazhe të shkollave, spitaleve dhe rezidencave të shkatërruara?” pyet Niyara Mamutova, që migroi në veri të vendit nga Krimea e aneksuar nga Rusia në 2014.
Një tjetër myslimane ukrainase nga Kievi, Viktoria Nesterenko, është dakord me parafolësen e saj.
“Unë gjithmonë kam imazhe të tmerrshme të luftës para syve të mi. Ushtarët rusë vranë shumë civilë, përfshirë fëmijë, afër Kievit. Ky vit nuk është si Ramazanët e kaluar. Jam e pikëlluar”, tha ajo.
Myslimanët atje, po e prisnin me padurim këtë Ramazan pasi nuk mund ta jetonin ashtu siç dëshironin për dy vjet për shkak të epidemisë së COVID-19, por sërish lufta ua prishi planet.
“Gjëja më e vështirë është të përgatitesh moralisht dhe shpirtërisht. Dua të lexoj më shumë Kuran dhe të falem. Por, nuk mund të përqendrohem në lutjet e mia për shkak të tensionit. Sigurisht, ne gjejmë kohë për adhurim. Ka disa përjashtime në kohë lufte. Mund të luteni së bashku. Në këtë mënyrë, ne mund të përmbushim detyrat tona fetare”, u shpreh ajo.
Niyara Mamutova ka tetë vjet që jeton në Zaporizhia në jug të vendit dhe drejton një organizatë joqeveritare që synon të luftojë paragjykimet ndaj myslimanëve, raporton BBC.
Mamutova kujtoi e trishtuar Ramazanët e kaluar, atëherë kur gjithçka ishte e qetë,
“Në të kaluarën e gjithë familja agjëronte, faleshim dhe bënim iftar. Tani familja jonë është copëtuar nga lufta. Disa nga familjarët tanë u larguan nga vendi dhe u vendosën në vende të tjera. Nuk është një atmosferë e lumtur”, u shpreh ajo.
Burri i saj punon si imam në një xhami të kthyer nga një vendbanim, e duke qenë se ka orë policore, burri i saj ndonjëherë nuk mund të kthehet në shtëpi aq vonë, prandaj qëndron në xhami,
Megjithatë, Mamutova ka arritur të bëjë miq të rinj, me të cilët e kalon edhe iftarin.
“Ne bëjmë iftar bashkë me myslimanët e tjerë, ndihmojmë njëri-tjetrin, gjithashtu po mbledhim donacione për myslimanët të cilëve u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre”, tha ajo.
“Ne duhet të qëndrojmë së bashku dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin”, tha ajo.
Tutje, Niyara Mamutova u shpreh se këto kohë të vështira do t’i kalojnë falë besimit të madh që kanë. / Gazeta Enigma.