Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Shyhrete Tahiri-Sylejmanin, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës dhe përfaqësuesit e organizatave, që mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale, kjo ditë veçanërisht na përkujton dhembjen e madhe që nuk kalon dhe një plagë të madhe që shteti e ka obligim ta shërojë”, tha Kurti.
Ai shtoi se të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë në krah shtetin e tyre dhe do të kenë përkrahje të vazhdueshme.
Siç thuhet në komunikatë, aty u vlerësua roli i pazëvendësueshëm i të mbijetuarave që kanë folur publikisht për rastet e tyre, e veçanërisht Vasfije Krasniqi-Goodman, që vazhdon të jetë avokuese e zëshme, me forcën e saj të pashembullt.
Gjatë takimit u bisedua për angazhimin e përbashkët të institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe shoqërisë, për të adresuar të shkuarën e për të përmirësuar mirëqenien e të mbijetuarve në Kosovë.
U theksua rëndësia e mbështetjes së të mbijetuarve për procesin e aplikimit në Komisionin Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, që të gëzojnë të drejtat e garantuara me ligj.