Tetë persona janë vrarë dhe dy janë plagosur nga bombardimet ruse në rajonin lindor të Ukrainës Luhansk, i cili është një nga objektivat e rusëve.
Bilancin e ka bërë kreu i këtij rajoni Serhiy Haidai. Në një postim në Telegram, ai shkruan se gjashtë persona vdiqën kur u bombarduan qytetet Hirske dhe Zolote.
Dy gra u gjetën të vdekura nën rrënojat e një shtëpie të shkatërruar në qytetin Popasna, që u sulmua disa ditë më parë.
Haidai deklaron se edhe një stacion policie në qytetin e Severodonetsk u shkatërrua.
Në fillim të kësaj jave, Rusia tha se ishte duke e përqendruar operacionin ushtarak në Luhansk dhe rajonet fqinje të Donetskut, pasi dështoi të pushtonte Ukrainën veriore, përfshirë edhe kryeqytetin Kiev. / Gazeta Enigma.