SBASHK-u paralajmëron grevë një orëshe më 12 maj

SBASHK-u paralajmëron grevë një orëshe më 12 maj

Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBASHK) do të mbajnë grevë një orëshe më 12 maj, pasi sipas tyre, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci edhe pse kishte premtuar në muajin prill se do të ketë dialog përmbajtjesor, nuk ka bërë asnjë hap konkret.

SBASHK-u ka thënë se e kanë njoftuar ministren Nagavci për grevën një orëshe më 12 maj, shkruan Gazeta Enigma.

“Duke respektuar Ligjin për Grevat, SBASHK me kohë i ka dërguar shkresë zyrtare Ministres Arbërie Nagavci duke e njoftuar  për grevën paralajmëruese njëorëshe të 12 majit, por edhe për veprimet tjera shumë më radikale, duke mos përjashtuar grevën e përgjithshme në tërë sektorin e arsimit nëse Qeveria vazhdon të hesht ndaj kërkesave legjitime të SBASHK-ut.

SBASHK-u i ka kujtuar ministres Nagavci se Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, si organi  më i lartë mes dy Kongreseve,  në mbledhjen e mbajtur më 28.04.2022 duke analizuar situatën  aktuale  e duke  vlerësuar se  Qeveria, edhe pas premtimeve se do të ketë dialog përmbajtjesor, nuk bëri as edhe një hap konkret, vendosi të mbaj grevë paralajmëruese njëorëshe më datën 12.05.2022 në të gjithë sektorin e arsimit, që nga çerdhet e deri edhe në Universitete, duke  mos përjashtuar edhe veprime më radikale pas kësaj date nëse Qeveria nuk i qaset drejt dialogut me SBASHK-un.

Po në këtë shkresë,  SBASHK i ka ripërsëritur kërkesat e anëtarësisë që Qeveria të vazhdojë me shtesën në pagë prej 100 euro për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet  e SBASHK, të fillojë zbatimi i Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, Plotësim-ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, Ligji nr.04/L-131, sidomos të ndryshohet neni 8, paragrafi 1 e nën paragrafët 1.2 dhe 1.3, që thirret në Ligjin e sigurisë pensionale të vitit 1983, pra sipas të cilit kërkohet që të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para 01.01.1999 dhe formimi i komisionit, i  cili do të ulet në tavolinën e negocimit me SBASHK-un që të gjej zgjidhje për kërkesat drejtuar Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet më tej, SBASHK duke insistuar që çështjet të zgjidhen me dialog edhe në këtë informatë dërguar MASHTI-t e fton ministren Nagavci për angazhim dhe takime me  përfaqësuesit e SBASHK-ut për të debatuar  shtruar për gjithë këto çështje, për ta informuar edhe për protestën e 20 majit e për t’u angazhuar bashkërisht në gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për çështjet e ngritura.

“SBASHK apelon te të gjithë anëtarësia që të bëjnë përgatitjet e duhura për pjesëmarrje masive në protestën e 20 majit bashkë me sindikalistët nga sindikatat tjera anëtare të BSPK-së duke uruar që Qeveria të ofroj zgjidhje të pranueshme për kërkesat tona legjitime e për të mos pasur nevojë që të fillohet me grevën e përgjithshme në tërë sektorin arsimor”.

Këto janë pikat kryesore të SBASHK-ut:

Vazhdimi i pagesës prej 100€ për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së.

Fillimi i zbatimit të Ligji për Sigurimin Shëndetësor, Plotësim-ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, Ligji nr.04/L-131, sidomos të ndryshohet te neni 8, paragrafi 1 e nën paragrafët 1.2 dhe 1.3, që thirret në Ligjin e sigurisë pensionale të vitit 1983, pra sipas të cilit kërkohet që të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para 01.01.1999 

Mos formimi i komisionit, i cili do të ulet ne tavolinën e negocimit me SBASHK-un që të gjej zgjidhje për kërkesat drejtuar Qeverisë së Kosovës .

Greva do të mbahet në tërë sistemin arsimor në orën e parë të punës në të dy ndërrimet . 

Related Articles