Deputeti gjerman, Knut Abraham i ka bërë thirrje Italisë e cila është duke udhëhequr me presidencën e Këshillit të Europës, që ta vendos Kosovën në agjendën e takimit të 20 majit ku do të mblidhen Komiteti i Ministrave të shteteve që janë anëtare të Këshillit të Europës.
“Koha për të vepruar: I bëj thirrje qeverisë italiane që ta vendosë në agjendë propozimin e Kosovës tani, në mënyrë që të diskutohet në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës në Torino të premten. Momenti i duhur duhet të përdoret tani”, ka shkruar në Twitter deputeti nga CDU/CSU.
Ndryshe, Kosova zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës javën e kaluar, derisa kjo u cilësua si hap i rëndësishëm i vendit. Ndërsa, Serbia tha se do të përgjigjen seriozisht nëse Kosova aplikon në KiE.