Kapiteni i Dritës para finales së Kupës së Kosovës: I dimë pikat e dobëta të Llapit

Kapiteni i Dritës para finales së Kupës së Kosovës: I dimë pikat e dobëta të Llapit

Të enjten më 26 maj do të bëhet i ditur fituesi i Kupës së Kosovës për sezonin 2021/2022.

Llapi dhe Ballkani përballen me njëra tjetrën në këtë finale të madhe e cila pritet të na dhurojë spektakël me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Llapi kërkon që ta mbroj titullin të cilin e kishte fituar në vitin e kaluar me vështirësi ndaj Dukagjinit, kurse Drita synon përfundimin e agjërimit 21-vjeçar pa e fituar këtë trofe.

Gazeta Enigma ka realizuar një intervistë me kapitenin e Dritës, Ardian Limanin i cili ka treguar për emocionet e kësaj finale të madhe të cilën thotë se janë duke e përgatitur deri në detajin e fundit.

“Kemi kohë që e presim këtë ndeshje, jemi duke vazhduar të përgatitemi deri në detaje në mënyrë që të jemi të gatshëm për çdo situatë në lojë”, thotë i entuziazmuar kapiteni i gjilanasve.

Drita dy ndeshjet e fundit i ka luajtur në bari natyral në mënyrë që të adaptohen sa më mirë për ndeshjen finale që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Dy ndeshjet e fundit i kemi zhvilluar në fusha me bari natyral, po ashtu edhe stërvitjet vazhdimisht po i bëjmë në stadiumin kryesor pasi që kjo na ndihmon shumë në adaptimin në fushë të tillë”, tregon Ardian Limani për Gazetën Enigma.

Limani thotë se trajneri i tyre, Ardian Nuhiu është kujdesur t’i tregoj atyre se nga vjen rreziku kryesor nga Llapi dhe nga cilat pozita mund t’i ndëshkojnë më lehtë.

“Trajneri vazhdimisht na sjell video të shkëputura nga ndeshjet e Llapit dhe e kemi kuptuar se nga vjen rreziku kryesor i Llapit, e poashtu në të cilat situata apo pozita mund t’i ndëshkojmë më lehtë. Pika më e fortë e Llapit mendoj që është faza ofanzive e shpejte dhe teknike, madje ata shpesh sulmojnë me 6 lojtarë, kurse pikat e dobëta do t’i mbajmë sekret deri në finale”, thotë Ardian Limani i cili thotë se pikat e tyre të dobëta do t’i mbajnë sekret deri në ditën e finales.

Finalja Kupa e Kosovës është e veçantë për kapitenin e ‘Intelektualëve’ pasi do të luajë për herë të parë në finale të këtij kompeticioni.

“Për mua është ndeshje e veçantë si kapiten, pasiqë është hera e parë në karrierë që do të luajë në një finale të Kupës së Kosovës. Si për mua ashtu edhe për klubin është trofe që mungon për shumë vite dhe tasht e kemi mundësinë për ta sjellur këtë trofe për tifozët tanë që e presin kaq shumë. Për mua dhe çdokënd  tjetër është trofe shumë i çmuar”, thotë Ardian Limani.

Krejt për fund 28-vjeçari gjilanas nuk i harron tifozërinë e tyre “Intelektualët” që thotë mezi presin ta shohin spektakëlin e tyre dhe shpreson që në fund të takimit të festojnë me ta.

“Mezi presim të shohim spektaklin e tifozëve tanë ‘Intelektualët’, por gjithashtu duam t’i japim mesazh që edhe ne jemi gati që t’i bëjmë krenar ata. Shpresojmë që pas ndeshjes të festojmë së bashku me ta” thotë ai.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles