Avokati Tomë Gashi, ka thënë se Qeveria dhe presidentja e vendit Vjosa Osmani do të mund të japin garanci për lirimin me kusht të pjesëtarëve të UÇK-së të cilët janë të akuzuar nga Gjykata Speciale.
Por që sipas tij, garanci duhet të kërkojë Gjykata Speciale nga institucionet e Kosovës, duke shtuar se Qeveria e presidentja nuk kanë kurrfarë arsye ligjore që të mos e bëjnë këtë.
“Sigurisht që do ta bëjë edhe Qeveria Kurti edhe presidentja Vjosa Osmani. Mirëpo garancione për lirim me kusht të të gjithë pjesëtarëve të UÇK-së të cilët janë të akuzuar nga Gjykata Speciale dhe gjinden nën masën e arrestit respektivisht në paraburgim në Gjykatën Speciale nuk mund ta bëjë njëanshëm. Garancionet çfarëdo që të jenë duhet t’i kërkojë Gjykata Speciale nga institucionet e Kosovës dhe Qeveria Kurti e presidentja Osmani nuk kanë kurrfarë arsye ligjore që të mos e bëjnë këtë. Mirëpo në mënyrë të njëanshme nuk mund të ofrojnë garancione pa u kërkuar prej Gjykatës Speciale”, shtoi Gashi.
Ai tha se të gjithë pjesëtarët e UÇK-së duhet të mbrohen në liri sepse edhe pas ngritjes së aktakuzës do të ketë hetime shtesë të cilat do të zgjasin deri në 5 vjet.
Andaj, ai theksoi se nuk është e drejtë që pjesëtarët e UÇK-së të mbahen në paraburgim për një periudhë të gjatë kohore pa filluar gjykimet.
Mes tjerash, Gashi thotë se më së miri do të ishte që Shqipëria të ofronte garanci të tilla, por sipas tij vështirë se do të aprovohej kjo kërkesë.
Gashi theksoi se garancione të tilla do të ishte më së miri të japin ShBA-ja, Anglia, Gjermania dhe Franca sepse janë shtetet më të fuqishme që sigurojnë sundimin e ligjit.
“Megjithatë, duke pasur parasysh që Shqipërinë e kanë involvuar fatkeqësisht edhe me raportin e Dick Martyt do të ishte shumë e vështirë që të aprovohet kërkesa e Shqipërisë për tu mbrojtur në liri pjesëtarët e UÇK-së”.