Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, si dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, janë një treshe që punojnë kundër Kosovës.
Betim Gjoshi, thotë se këta të tre janë duke drejtuar një fushatë kundër drejtuesve të UÇK-së.
Postimi i plotë:
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla Schwarz – treshja anti-Kosovë dhe anti-UÇK
Në Qeverinë e Kosovës dhe në Presidencë ekziston kjo treshe e organizuar kundër shtetit të Kosovës dhe kundër UÇK-së. Kjo strukturë mendon njejtë, ka qëllime të njejta dhe vepron njejtë.
Albin Kurti, Vjosa Osmani janë drejtues të kësaj strukture që në thelb përbëjnë kërcënim për zhbërjen e shtetit të Kosovës si rezultat përfundimtar. Pjesë e kësaj strukture është edhe Donika Gërvalla Schwarz e cila është në krye të fushatës vetëm medialisht, por që ka mbështetjen e fuqishme të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.
Këta njerëz janë duke drejtuar një fushatë kundër drejtuesve të UÇK-së. Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla Schwarz janë duke shfrytëzuar kapacitetet shtetërore për të dëmtuar procesin e drejtësisë dhe luftës së drejtë për liri e shtet të Kosovës.
Presidentja, Kryeministri dhe Ministrja e Jashtme nuk janë duke qëndruar as të paanshëm, çfarë kërkohet në drejtësi. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre po dëmtojnë qëllimisht procesin.
Duke shfrytëzuar shtetin për të dëmtuar luftën e popullit për liri, Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla Schwarz janë duke shërbyer kundër interesave kombëtare.
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla Schwarz, i kanë kaluar kufijtë e urrejtjes dhe padurueshmërisë politike.