Mesjava pritet të jetë e nxehtë për katër klubet kosovare si Ballkani, Drita, SC Gjilani dhe KF Llapi, pasi këto katër klube do ta kërkojnë kualifikimin në rundin tjetër në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Konferencës.
ZALGIRIS – FC BALLKANI
Kampionët e Kosovës në futboll, FC Ballkani do të jetë skuadra e parë që do ta luajë ndeshjen e dytë kthyese. Skuadra e udhëhequr nga Ilir Daja sot ka udhëtuar drejt Lituanisë ku do të përballet me skuadrën e Zalgiris.
Suharekasit bën paraqitje të mirë duke krijuar raste të mira për gol, por ishin të pafatë pasi barazuan me rezultat 1-1.
Loja e mirë e tyre e treguar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë jep shpresë te tifozët e kësaj skuadre se të martën në mbrëmje mund të kthehen me fitore në Prishtinë duke u kualifikuar në rundin tjetër.
Ashtu si në ndeshjen e parë edhe në këtë ndeshje për Ballkanin nuk do të paraqitet Rustem Hoxha i lënduar dhe mesfushori i njohur, Kushtrim Gashi i cili doli kundër trajnerit Ilir Daja pasi kishte vendosur që mos ta fuste në formacionin startues në ndeshjen e parë.
Zalgiris – Ballkani luhet të martën nga ora 18:00.
Drejtësinë në këtë ndeshje do ta ndajnë gjyqtarët nga Norvegjia. Gjyqtari kryesor do të jetë Kristoffer Hagenes i asistuar nga Kim Thomas Haglund dhe Jan Erik Engan.
Talenti dhe kualiteti në fushën e blertë nuk i mungon skuadrës së Ilir Dajës, por mbetet të shihet se çfarë do të ndodh brenda 90 minutave, apo do të duhen vazhdimet dy herë nga 15 minuta, apo të vendoset përmes gjuajtjve së penalltive.
DRITA – INTER TURKU
Nënkampionët e Kosovës FC Drita nuk e nisën mirë në ndeshjen e parë pasi u mposhtën në Finlandë me rezultat 1-0, dhe luajtën me një lojtar më pak një pjesë të madhe të lojës.
Skuadra e drejtuar nga trajneri shkupjan, Ardian Nuhiu bëri paraqitje të mirë përkundër humbjes duke ngjallur shpresa për një rezultat pozitiv në ndeshjen e kthimit që luhet të martën në Prishtinë.
Tifozët e kësaj skuadre “Intelektualët” priten që t’i mbushin shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri” të martën në mbrëmje duke ia dhënë një shtysë të madhe të besuarve të Ardian Nuhiut.
Drita në këtë ndeshje nuk mund të llogarisë në të ndëshkuarin Ilir Blakçori, por kjo mungesë nuk pritet t’i sjellë kokçarje pasi Ardian Nuhiu ka fond të pasur të lojtarëve në dispozicion për këtë ndeshje.
Dritës do t’i duhet një fitore me rezultat të pastër prej 2 golash për t’u kualifikuar në rundin tjetër.
Këtë ndeshje do ta drejtoj Neil Doyle nga Irlanda i cili do të asistohet Robert Clarke dhe Ëayne McDonnell.
Drita – Inter Turku luhet nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
LIEPAJA – SC GJILANI
SC Gjilani arriti që të bëjë paraqitje solide ndaj skuadrës së FK Liepajës nga Letonia.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Zekirija Ramadani shënoi fitore me rezultat 1-0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në këtë ndeshje për Gjilanin debutoi trajneri Zekirija Ramadani dhe lojtarët Besart Krivanjeva dhe sulmuesi Baton Zabërgja.
Gjilani në këtë ndeshje kishte përkrahje të madh nga tifozëria e saj “Skifterat” të cilët dhanë spektakël në shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Kuqebardhët do të nisën për Letoni të mërkurën në mëngjes për t’u përballur të enjtën nga ora 16:00 me skuadrën e Liepajës.
Në këtë ndeshje, SC Gjilanit i rikthehen nga suspendimi Torrasa dhe sulmuesi Melvan Zeka të cilët munguan në ndeshjen e parë.
Drejtësinë në këtë ndeshje do ta ndajë gjyqtari Tore Hansen nga Norvegjia i asistuar nga Oystein Ytterland dhe Runar Langseth.
Zekirija Ramadanit në këtë ndeshje i duhet një barazim, pa gola apo me gola nuk ka rëndësi, barazimi i mjafton që të kualifikohet në rundin tjetër.
KF LLAPI – Buduqnosti
Llapi pësoi humbje me rezultat 2-0 nga skuadra nga Mali i Zi, Buduqnosti në një stadium aspak miqësor në Podgoricë.
Tifozët e kësaj skuadra përveç fyrjeve raciste ndaj pankinës dhe lojtarëve të Llapit edhe i goditen me gjësende, gjë e cila nuk i takon një loje normale të futbollit.
Llapit të Tahir Batatinës i duhet një fitore me rezultat 2-0 për të çuar ndeshjen në vazhdime dhe një fitore 3-0 për t’u kualifikuar në rundin tjetër, mision i vështirë, por jo i pamundur.
Stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të jetë i stërmbushur për këtë ndeshje për shkak të ngjarjes që ka ndodhur në Podgoricë, shumë tifogrupe nga skuadrat kosovare kanë konfirmuar mbështetjen për Llapin në këtë ndeshje.
Kryetrajnerit Tahir Batatinës i mbetet punë për të bërë të enjten, pasi përkrahja nuk do t’i mungojë nga e gjithë Kosova në këtë ndeshje, prandaj një rezultat pozitiv në këtë ndeshje do t’i jepte një infusion futbollit të Kosovës duke treguar që Kosova ka futboll të bukur dhe mund t’i japin ligjerata në aspektin sportive skuadrave tjera në gara europiane.
Llapi – Buducnosti luhet të enjten nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë./GAZETA ENIGMA/