Mesfushori i talentuar i Interit, Kristjan Asllani, nuk ka besuar se “nerazurrët” do ta thërrisnin atë. Ai ka bërë publik mesazhin që Ivan Perishiqi ia kishte dërguar pas transferimit te gjiganti italian.
20-vjeçari iu bashkua Interit në formë huazimi me opsionin e blerjes nga Empoli. Ai debutoi në Serie A në sezonin që shkoi dhe ishte prej më të mirëve në “Stadio Castellani”.
Interi e transferoi Asllanin që ka tipare të ngjashme me Marcelo Brozoviqin, dhe në klub e shohin si zëvendësues të tij për një kohë të gjatë, pasi kroati të mos jetë më pjesë e “nerazzurrëve”.
Kroati tjetër, Ivan Perishiq, ka qenë në kontakt me Asllanin pas transferimit të tij tek Interi.
20-vjeçari e mori numrin 14 për edicionin 2022-23, numër të cilin në fanellë e mbante Perishiqi në sezonin e kaluar.
“Perishiqi më shkroi mesazh dhe më uroi fat, isha i lumtur”, ka thënë Asllani për mediumin “DAZN”.
“E mora numrin 14 për shkak të tij dhe për ditën e lindjes së nënës sime”, theksoi Asllani.
Perishiqi e la Interin pasi i skadoi kontrata në fund të edicionit dhe iu bashkua Tottenhamit të Antonio Contes si futbollist i lirë.
Asllani e pranoi se ishte i befasuar kur e kuptoi se Interi ishte i interesuar për të.
“Në fillim nuk mund të besoja. Por, kur nënshkrova kontratë, ishte emocion i papërshkrueshëm për familjen time dhe për mua. Çfarë më ka bërë përshtypje më së shumti? Ndoshta qendra stërvitore. Nuk jam mësuar me një qendër kaq të madhe stërvitore. Më pas lojtarët, natyrisht. Jam mësuar duke i parë vetëm në televizion dhe tani luaj me ta. Të gjithë po më ndihmojnë që unë të përshtatem me grupin. Danilo D’Ambrosio, por po ashtu edhe Matteo Darmian dhe Samir Handanoviq. Një këshillë që më është dhënë më herët ka qenë të mbetem modest. Kam folur me Romelu Lukakun për 30 minuta gjatë kryerjes së testeve mjekësore dhe ai po ashtu më ka ndihmuar të përshtatem me ekipin”, është shprehur Asllani.
Asllani golin e vetëm të shënuar në elitën e futbollit të Italisë e ka kundër Interit. Ai ka luajtur në 27 ndeshje në Serie A me Empolin në edicionin e kaluar.