E ardhmja e Vedat Muriqit ka mbetur ende pezull.
Sulmuesi kosovar e kaloi një gjysmë sezoni fantastik në Mallorca, ku i realizoi 5 gola dhe i bëri 3 asisime në 16 ndeshje me klubin spanjoll.
Dhe, është pikërisht La Liga ku dëshiron të rikthehet përfaqësuesi kosovar.
Prizrenasi shpreson të gjendet një marrëveshje dhe të rikthehet në klubin ishullor, aty ku e duan shumë tifozët pas një gjysmë sezoni të kaluar në formë huazimi.
Sipas mediave italiane, Mallorca është ende e interesuar për 28 vjeçarin.
Lazio do ta presë klubin spanjoll edhe 3-4 ditë para se të nisin bisedimet në mes të klubeve.
Lazio shpreson që oferta e Mallorcas të arrijë në 10 milionë euro plus bonuset.
Kurse, Mallorca për momentin shkon deri në 7 milionë plus bonuset.
Ndërkohë, Lazio po e pret edhe Club Bruggen, aty ku Muriqi nuk i kaloi vizitat mjekësore, por që lazialët besojnë se në tentimin e dytë s’do të ketë probleme në këtë drejtim.
Klubi belg i ofron paratë që do ta kënaqnin Lazion, shkruan “Gazeta Express”.
Aktualisht, Muriqi është jashtë ekipit të Lazios dhe po ushtron i vetëm.
Ish-futbollisti i Fenerbahçes ka kontratë me klubin italian deri në vitin 2025, por palët do të ndahen gjithsesi gjatë kësaj vere.
Muriqi i kishte realizuar vetëm 2 gola dhe i kishte bërë 2 asistime për një vit e gjysmë në Itali.
Lazio e kishte blerë atë për afro 20 milionë euro në verën e vitit 2020.