Pozita më e rëndësishme në sistemin prokurorial të Kosovës, ajo e Kryeprokurorit të Shtetit, tash e disa muaj ka mbetur me ushtrues detyre.
Besim Kelmendi po vazhdon të ushtrojë detyrën e Kryeprokurorit.
Vendi ka mbetur vakant, pasi Presidentja Vjosa Osmani akoma nuk ka vendosur nëse do ta dekretojë ose jo kandidatin Blerim Isufaj për Kryeprokuror.
Nga zyra e Presidencës i kanë thënë Radio Televizionit Dukagjini se ende nuk ka ndonjë zhvillim të ri në këtë drejtim.
Vetëm pak javë më parë nga ky institucion kanë deklaruar se janë në pritje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese rreth ankesave të dy kandidatëve.
Kushtetuesja më 4 korrik hodhi poshtë këto dy ankesa.
Megjithatë, përkundër këtij zhvillimi, Presidentja Osmani ende nuk ka vendosur rreth dekretimit të Isufajt.
Megjithëkëtë, Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se Presidentja është brenda një afati të arsyeshëm.
“Edhe siç e përcakton ligji, nuk ka një afat kohor të përcaktuar saktë se kur duhet të dekretohet ose jo Kryeprokurori i Shtetit, por në këtë rast ne konsiderojmë se ende nuk ka kaluar ky afat dhe ende Presidentja është në kohë, është në këtë afatin e arsyeshëm kohor”, ka thënë Makshana.
Paralelisht me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit, Ministria e Drejtësisë e ka nisur edhe nismën tjetër, atë të plotësim-ndryshimeve të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili këtij organi do t’ia ulë numrin e anëtarëve nga 13 në 7.
Kjo po vlerësohet të jetë një prej arsyeve përse Presidentja po e zvarritë procesin e dekretimit të Kryeprokurorit.
Gjasat mund të jenë që Presidentja do të pres që plotësim-ndryshimet e ligjit, të cilat kanë kaluar në dy lexime në Kuvendin e Kosovës, të hyjnë në tërësi në fuqi.
E nëse ndodhë kështu, Makshana vlerëson se përzgjedhja e Kryeprokurorit të ri do të ishte më e drejtë në përbërjen e re të KPK.
“Përzgjedhja e zotëri Blerim Isufaj si kandidat për kryeprokuror të shtetit është bërë nga një përbërje joadekuate dhe me projektligjin për Këshillin Prokurorial kjo përbërje do të ndryshoj dhe mendojmë se me përbërjen e re ndoshta do të jetë edhe një proces më i drejtë”, ka shtuar Makshana.
Plotësim-ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial, PDK-ja i ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Vendimi i Kushtetueses pritet të mos merret edhe për një kohë.