Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtyerjen në afat prej një muaji të reciprocitetit ndaj Serbisë për dokumentet e identifikimit dhe targat e automjeteve.
Gjithashtu Borrell pret që barrikadat e vendosura nga serbët lokalë në dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak të hiqen menjëherë.
Borrell shton se çështjet duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Mirëpresim vendimin e Kosovës për zhvendosjen e masave deri më 1 shtator. Presim që pengesat në rrugë të hiqen menjëherë. Çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe fokusimi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë thelbësore për rrugët e tyre të integrimit në BE”, ka shkruar ai.
I dërguari special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak për Dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se ideja për shtyrjen e vendimit të reciprocitetit ishte e Josep Borrelli, shef i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.