Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-Kryeminsitri Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Gazetën Enigma ka folur për problemet aktuale që po e shoqërojnë Kosovën.
Sipas Mustafës, ikja e qytetarëve nga Kosova është sfidë themelore aktuale dhe afatgjate.
“Nëse të rinjtë, sidomos, nuk shohin perspektivë për punë, për shkollim dhe aftësim të mirë profesional, nëse institucionet promovojnë luftën çdo ditë, atëherë Kosova zbrazet dhe nuk ndihmon propaganda shumë e fortë e institucioneve”, ka thënë Mustafa për Gazetën Enigma.
Përveç se Kosova tash e disa vite përballet me ikjen e të rinjëve jashtë vendit, vendi është goditur edhe nga rritja e inflacionit dhe tash së fundi edhe me krizë energjetike.
Gazeta Enigma: Si e komentoni krizën me energji elektrike dhe në përgjithësi inflacionin në rritje e sipër, a mendoni se kjo është si rezultat i keq qeverisjes Kurti, pandemisë apo luftës mes Rusisë dhe Ukrainës?
Qeveria është përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve publike. Nuk është qeveria altoparlant për të njoftuar qytetarët për krizat që pasojnë por ajo duhet të evitojë krizat; atë me energjinë me covid, me inflacion të lartë. Për asnjë nga këto probleme qeveria nuk ka marrë masa parapraka e fatëkeqësisht as parandaluese.
Qeveria duhet të ketë strategji të zhvillimit ekonomik në kushte të reja të jrijuara nga lufra në Ukrainë, politika aktive sociale, tërheqje të investimeve të huaja direkte, gjë që mungojnë.
Qeveria lavdërohet se ka rritë buxhetin ( që në faktë ësht edhe pasojë e rritjes së çmimeve dhe inflacionit shumë të lartë) por buxheti është bllokuar në pjesën e investimeve publike. Pra, po mblidhen para nga qytetarët dhe nuk po ofrohen për qytetarët.
Në çdo fushë ka hapësirë të konsiderueshme për ta ndryshuar gjendjen sikur qeveria të kishte qenë kompetente.
Përveç këtyre problemeve kyçe që kanë kapluar Kosovën, Mustafa u pyet nga Gazeta Enigma edhe për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, derisa në këtë aspekt ai vlerëson se Kosova nuk ka shënuar progres.
Gazeta Enigma: A vlerëson se arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbi ka ulur tensionet dhe ka eleminuar një fazë të destabilizimit?
Në fakt kjo nuk mund të quhet marrëveshje sepse marrëveshja është arritur para 11 vjetëve. Mund të jetë një pajtim verbal për modalitetet e implementimit të marrëveshjes së vitit 2011.
Çështja e dytë është se, njëherë po krijohen tensione pastaj po vrapon komuniteti ndërkombëtarë për ti shuar ato.
Lidhur me këtë mendoj se çdo marrëveshje që bëhet nën situatën e tensionuar nuk është racionale, sepse racionaliteti merr karakter të shuarjes së konfliktit.
Në fakt, në këtë rast edhe nuk ka reciprocitet të plotë, sepse ajo që vlen për serbët që posedojnë dokumente serbe e që jetojnë në Kosovë nuk vlen për shqiptarët që jetojnë në Serbi.
Ndryshe, ditë më parë ka filluar së zbatuari marrëveshja për dokumentet e identifikimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e dakorduar ditë më parë me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së. Në këtë mënyrë Serbia ndërpreu lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës, si zëvendësim për letërnjoftimin që tash e 11 vjet e praktikon për kosovarët.
Ndërsa, Mustafa tha se kjo marrëveshja ishte arritur qe një kohë të gjatë, por sipas tij është dashur që Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja të bëjë presion që Serbia të implementojë atë që ka nënshkruar. /Gazeta Enigma/.