Organizata “Gratë në të Zeza” (Serbi), mbështetur nga organizata të tjetra të shoqërisë civile, personalitete dhe aktivistë të të drejtave të njeriut në Serbi, ka kërkuar që opinioni vendor dhe ai ndërkombëtar të bëjë presion mbi pushtetin aktual në Serbi që ai të braktisë politikën aktuale ndaj Kosovës.
Në këtë thirrje thuhet se pushteti aktual në Serbi, nuk e merr parasysh faktin se qytetarët e Kosovës nuk duan t’i nënshtrohen sovranitetit të shteti në emër të të cilit janë persekutuar dhe vrarë.
“I bëjmë thirrje opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar që të ballafaqohet me realitetin dhe të bëjë presion mbi pushtetin aktual në Serbi që ajo të braktisë politikën e saj vetëvrasëse, e cila nuk e merr parasysh faktin se qytetarët e Kosovës nuk duan t’i nënshtrohen sovranitetit të shteti në emër të të cilit janë persekutuar dhe janë vrarë të gjithë ata që donin t’i formonin marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve mbi baza të reja, pa diskriminim dhe represion”, thuhet në këtë thirrje.
Gjithashtu është kërkuar nga autoritetet në Serbi të ndalojnë së penguari anëtarësimin e Kosovës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare.
“Në këtë mënyrë Serbia në mënyrë të qartë dhe pamëdyshje do të jepte kontributin e saj në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabilitetin rajonal. Në të njëjtën kohë, apelojmë tek institucionet ndërkombëtare dhe shoqëria civile në Kosovë që të kundërshtojnë me vendosmëri të gjitha format e diskriminimit në bazë etnike, fetare, kulturore, politike, gjinore dhe çdo përkatësie tjetër”, thuhet në apel.