Komisioni Qëndror Zgjedhor ka marrë vendim që për secilën komunë të veriut në zgjedhjet e jashtëzakonshme të kufizojë shpenzimet për kandidatët komunal për 0.5 euro për banor.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga KQZ-ja, duke njoftuar se në Mitrovicën e Veriut do të lejohen 9,022 euro shpenzime në fushatë, e cila ka 18,045 banorë.
“Nëpërmjet këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton kufirin e sipërm të shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Ky kufizim mbështetet në Rregullën Zgjedhore nr. 12/2013, sipas të cilës kufizimi i shpenzimeve të fushatës do të jetë 0.5 euro për votues të regjistruar në secilën komunë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e KQZ-së.
Kandidatët e komunave të tjera janë të lejuara të shpenzojnë si në vijim: Zveçan -3,490 euro, Leposaviq – 6,646 euro dhe Zubin Potok – 3,318 euro.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendimin pak ditë më parë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të vendit.
Ende nuk dihet saktë data se kur pritet të mbahen këto zgjedhje, ndonëse Osmani ka lënë 18 dhjetorin si ditën kur përcaktohet vullneti qytetar nëpër komunat veriore.