Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Kosovë, Haki Abazi deklaroi se do të japë dorëheqjen nëse formohet Asosacioni i komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.
Deklaratën, Abazi e dha në një intervistë për Euronews Albania, teksa shtoi se nuk mund të lejohet një gjë e tillë.
Abazi nënvizoi se nëse kjo ndodh, do të ishte një shtrirje horizontale e një Republika Srpska në gjithë sistemin kushtetues të Kosovës.
“Nuk do të lejohet në asnjë mënyrë, sepse kjo është arsyeja përse ne jemi në qeveri dhe në parlament, si rezultat i refuzimit të Asosacionit me kompetenca ekzekutive. Nëse do vihet deri tek ndonjë ndryshim kushtetues që do të lejonte pushtet të tretë, ndërmjet atij lokal dhe qendror, normalisht që as nuk do ta pranoja dhe do të jap dorëheqje menjëherë.
Nuk mund të pranohet në asnjë formë që përbrenda shtresëzimit qeverisës të funksionimit të shtetësisë së Kosovës, të vendoset një forcë ekzekutive, Asosacion me të drejta ekzekutive, e cila do të ishte një etnike e përkufizuar sipas Asosacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo është një shtrirje horizontale e një Republika Srpska në gjithë sistemin kushtetues të Kosovës”, theksoi ai.