Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka folur për reagimin e saj që e ka bërë sot në ë Konferencën kundër Dhunës Seksuale në Konflikt (PSVI), në Londër, ndaj ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, të cilin e ka quajtur “arkitekt të gjenocidit në Ballkanin Perëndimor”.
Në Edicionin Speical të Klan Kosovës, ajo ka theksuar se prania e Daçiq në atë panel ka qenë një fyerje për të gjitha viktimat e dhunës seksuale në botë.
“Reagimi ka qenë shumë i natyrshëm sepse është pikërisht pritja që viktimat të mos kenë nevojë të ballafaqohen pikërisht me autorët e krimeve, as me ata që i kryejnë krimet direkt, por as edhe me ata që kontribuuan në forma të ndryshme që këto krime të jenë të mundshme”.
“Natyrisht, që ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, si dorë e djathtë e Sllobodan Millosheviqit ose siç publiku në Serbi e thërret si “Slloba i vogël”, ka qenë një prej autorëve kryesor të krimeve të gjenocidit si në Bosnje Hercegovinë, ashtu edhe në Kosovë. Dhe prandaj, vet prania e tij në sallë, aq më tepër, prania e tij si panelist në këtë konferencë kaq të rëndësishme ka qenë një fyerje për të gjitha viktimat e dhunës seksuale në botë”, ka thënë Gërvalla-Schwarz.