Gazeta e njohur franceze ‘Le Monde’ ka bërë një artikull për tensionet në veri të Kosovës, pasi tash e një kohë, disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët.
Sipas ‘Le Monde’, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po udhëheq një politikë sulmuese ndaj minoritetit serb.
Kësisoj, duke pasur parasysh vendimet e fundit të kryeministrit Kurti lidhur me pjesën veriore dhe qasjen karshi ndërkombëtare, ‘Le Monde’ shprehet se ai po rrezikon që t’i acarojë aleatët e tij perëndimorë.
Megjithatë sipas gazetës franceze, jo vetëm Serbia është fajtore për ngritjen e tensioneve në veri.
Bazuar në shkrimin e “Le Monde”, edhe Qeveria e Kosovës ka gisht në tensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës
“Zakonisht në Kosovë baleti i krizave diplomatike apo politike është i vendosur mirë. Kur tensioni rritet, mjafton vetëm protesta ose mesazhe të mirëmenduara nga ambasadat e ndryshme perëndimore, duke filluar nga ajo e Shteteve të Bashkuara, që elitat politike vendase të binden”, shkruan e përditshmja franceze, përcjell Paparaci.
“Grupet radikale në këtë xhep të paligjshmërisë që i nënshtrohet mafies po shtojnë dhunën, duke rritur frikën e rikthimit në luftë. Të dielën më 11 dhjetor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, madje kërcënoi se do të dërgonte “një mijë policë dhe ushtarë” për të mbrojtur rreth 40,000 serb që banojnë atje”.
Gazeta thotë se nëse pala serbe nuk është pa qortime me këtë retorikë luftarake, burimi i tensioneve aktuale megjithatë fillimisht duhet kërkuar në Prishtinë.
Për më tepër, kjo gazetë e quan kryeministrin Kurti nacionalist të majtë shqiptar./paparaci
“Që nga fillimi i vitit 2022, kryeministri aktual kosovar, nacionalisti i majtë shqiptar Albin Kurti, ka intensifikuar veprimet në Mitrovicën e Veriut, edhe nëse kjo nënkupton thyerjen e status quo-së së deritanishme të favorizuar nga evropianët dhe amerikanët”, thuhet në artikullin e tyre, të cilën mund ta lexoni duke klikuar këtu.
Në anën tjetër, më 10 dhjetor, serbët lokalë ngritën barrikada në veri në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi më 12 dhjetor se Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Ai dyshohet për “kryerjen e veprës penale terroriste”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Pantiq “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur “janë sulmuar zyrtarë e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”.