Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehu bindjen se 5 shtetet evropiane që nuk e njohin ende Kosovën “do ta kuptojnë edhe më shumë rëndësinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës tani që e dinë se ne nuk e duam pavarësinë vetëm si pavarësi nga Serbia ose si pavarësi për veten, por edhe si pavarësi për integrim në Bashkimin Evropian”.
“Është një ditë historike për popullin e Kosovës, që e ka pritur shumë gjatë. Edhe qeveria jonë e ka pritur këtë ditë dhe së shpejti mbush një vit e 9 muaj që është në detyrë dhe 15 dhjetori do të shënohet si dita kur Kosova nis zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian si një proces i gjatë që nis me këtë aplikim. Pra, ne shprehim vullnetin tonë për anëtarësim, ndërsa nga BE-ja presim që të na dërgojë pyetjet, të cilave do t’i përgjigjemi”.
“Tani, hapi i parë është Këshilli Evropian që i kërkon opinion Komisionit Evropian. Më pas, Komisioni Evropian përgatit pyetësorin ligjor me mijëra pyetje. Ka shumë rrugë përpara, por ky hap është tejet i vlefshëm sepse është hapi i parë inaugurues i një procesi të gjatë, që vendeve të ndryshme u ka zgjatur 3-14 vjet. Mesatarja është 9 vjet. Besojmë që është e arsyeshme që edhe ne ta synojmë këtë mesatare”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, zotimi i Kosovës për të përqafuar në mënyrë të pakushtëzuar vlerat evropiane është inkurajuar edhe për 5 shtetet mosnjohëse.
“Zotimi i Kosovës për të përqafuar në mënyrë të pakushtëzuar vlerat evropiane është inkurajuar edhe për 5 shtetet mosnjohëse. Unë besoj që Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja do ta kuptojnë edhe më shumë rëndësinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës tani që e dinë se ne nuk e duam pavarësinë vetëm si pavarësi nga Serbia ose si pavarësi për veten, por edhe si pavarësi për integrim në Bashkimin Evropian”, shtoi kryeministri i Kosovës për a2cnn.