Serbët kanë vendosur një tjetër barrikadë në veri të Kosovës, në fshatin Jegenicë të Zubin Potokut.
RTK ka njoftuar se në atë pjesë nuk ka të vendosura forca policore, as pjesëtarë të EULEX-it e as të KFOR-it, por tha se këta të fundit shihen derisa patrullojnë në lëvizje zonën duke shfrytëzuar dy rrugë alternative në atë pjesë.
Prej disa orësh në veri po dëgjohen edhe disa shpërthime, por të cilat janë të fishekzjarrëve.
Se nuk duhet shqetësuar nga këto shpërthime, meqë janë veç mjete piroteknike ia ka konfirmuar RTK-së edhe drejtori i policisë për veriun, Besim Hoti.
Siç ka thënë ai, tash është kohë festash e shpërthime të tilla mund të dëgjohen, por sipas tij nuk janë shqetësuese.
Ndërkohë, Baki Kelani nga Policia e Kosovës ka thënë se situata është e qetë, por e brishtë për shkak të zhvillimeve të fundit në atë pjesë.