Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, sërish është ndaluar në pikën kufitare në Merdarë.
Sipas saj, kësaj radhe ajo është ndaluar nga shërbimi sekret serb, BIA.
“Erdhi një i ri rreth të 20-ave dhe tha se ishte nga BIA. Ai nuk prezantohet, nuk më merr në pyetje, nuk më tregon arsyen pse jam ndalur, por më thotë se ka vetëm një urdhër që të mos më japë dokumente. Natyrisht, ai erdhi vetëm për të justifikuar qëndrimin tim të paligjshëm këtu për më shumë se 5 orë tani”, ka shkruar ajo në llogarinë e saj në Twitter.
Nga momenti kur ajo e ka bërë njoftimin e parë, tashmë janë bërë 12 orë pritje për të.
“Mirëmëngjesi. Që prej orës së njëmbëdhjetë, pa shpjegim dhe arsye, jam duke qëndruar në vijën administrative, ku më janë konfiskuar dokumentet në mënyrë antikushtetuese dhe të paligjshme dhe më është penguar liria e lëvizjes”, ka shtuar ajo.