Gazeta prestigjoze franceze “Le Monde”ka parë një ndryshim të politikës së jashtme të Kosovës karshi aleatëve të saj perendimorë.
Në një analizë të gjatë, që zë një vend ballor në faqen e saj të katërt, e përditshmja, duke analizuar tensionet e fundit në Veri të Mitrovicës, raporton se sjellja e Albin Kurtit po i acaron diplomatët që merren me Prishtinën.
“Nëse pala serbe nuk mund të shfajësohet për përdorimin e retorikës luftënxitëse, burimi i tensioneve këtë radhë duhet kërkuar në Prishtinë. Që nga fillimi i vitit 2022, kryeministri aktual nacionalisti i majtë albanofon, Albin Kurti, po shton aksionet në Mitrovicën e Veriut, qoftë edhe me çmimin e prishjes së status quo-së, të preferuar deri më tash nga evropianët dhe amerikanët”, shkruan korrespondenti nga Viena Jean-Baptiste Chastand.
Në artikull thuhet se ka një lloj ndryshimi nga politika e mëparshme e bindjes pa kushte ndaj ambasadave perendimore. “Në Kosovë, kur krizat politike marrin zjarr, mjaftojnë protestat apo mesazhet e mirëmenduara nga ambasadat e ndryshme perëndimore, kryesisht asaj të Shteteve të Bashkuara, që elitat politike lokale të qetësohen. Afro dy milionë kosovarë e dinë se i janë shumë borxhli rolit vendimtar të NATO-s në luftën kundër Serbisë, në vitin 1999 dhe ata nuk duan mosmarrveshje me sponsorët e tyre perëndimorë, sidomos përballë një qeverie si ajo e Beogradit të mbështetur nga Rusia e cila ende nuk e njeh pavarësinë e ish provincës së saj”.
Pikërisht për këtë vënie në pikpyetje të qëndrimit prej yes man-i ndaj ndërkombëtarëve targetohet Albin Kurti, duke marrë si bazë për këtë edhe deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë. “Ish lideri i lëvizjes Studentore të viteve 1990, z. Kurti, 47 vjeç, shquhet për ngurtësinë e tij legjendare të kritikuar deri edhe nga shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama. Karakterin e vet ai e ka farkëtuar në burgjet serbe, ku qëndroi i mbyllur për dy vjet, para se të themelonte Vetëvendosjen, mbi idenë e një retorike radikale të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Pas disa vitesh opozitë, ai fitoi zgjedhjet legjislative të shkurtit 2021, me premtimin për të luftuar kundër korrupsionit endemik. Fitorja e tij u pa me sy të mirë në shumë kryeqytete evropiane. Gjatë asaj fushate Kurti foli shumë pak për Serbinë, duke e siguruar se prioritetet e qeverisë së re do të qenë “krijimi i vendeve të punës” dhe “Reforma në drejtësi”.
Por, “Le Monde” lë të kuptohet se me të ardhur në pushtet, nxitur dhe nga konteksti i ri ndërkombëtar i aleancës që tregoi Serbia me Rusinë, pas pushtimit të Ukrainës, kryeministri i ri e ndryshoi këtë qasje, duke kaluar në plan të parë masat e reciprocitetit me Beogradin.
“Albin Kurti zgjodhi që në fillim të vitit 2022, një strategji ofensive në Mitrovicë. Në prill, ai ndaloi së pari mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare serbe. Në gusht, ai kërkoi që Serbia të njohë dokumentet e identitetit dhe targat kosovare, duke kërcënuar se serbëve lokalë do tu mohohej e drejta të shkonin në Serbi me dokumentat e tyre. Një “reciprocitet i thjeshtë”, argumenton Zoti Kurti.
“Por çdo herë, këto pretendime kanë shkaktuar reagime të dhunshme nga ana e minoritetit serb në Kosovë, që jeton ende me iluzionin e një kthimi në gjirin e Beogradt, si dhe njëkohësisht, shqetësimin e kancelarive perëndimore, të cilat i kanë kërkuar palës kosovare ti shtyjë për një kohë të mëvonshme aksionet e saj. Sipas komentit të gazetës, e cila thekson se këto sjellje i kanë irrituar aleatet e tij perendimorë, kryeministri kosovar i është përgjigjur me pikatore kërkesave të tyre.
Në fund të analizës, Jean-Baptiste Chastand, përmend dhe planin franko-gjerman, i cili thotë se do ta detyrojë Kurtin të bëjë koncesione.
“Franca dhe Gjermania kanë vënë në tryezë një projekt-marrëveshje që do të lejonte forma e njohjes jozyrtare të Kosovës, sipas modelit të dy Gjermanive gjatë luftës së ftohtë. Por, për të arritur deri tek nënshkrimi i saj, kjo marrëveshje do ta detyrojë edhe z. Kurti të bëjë koncesionet e tij mbi të drejtat e pakicës serbe”./Lapsi.al