Shefi i ushtrisë serbe është afruar te kufiri me Kosovën me urdhër të shefit të tij, Vuçiqit. Atë kufi trupat ushtarake të Beogradit nuk mund ta kalojnë. KFOR-i, që nuk e lejon këtë, nuk i ka kthyer ende përgjigje Serbisë rreth përkesës për dislokimin e trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.
Nga ky mision paqeruajtës i NATO-s thënë se kjo kërkesë do ta marrë një përgjigje “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka dërguar shefin e shtabit të ushtrisë së Serbisë në kufirin me Kosovën. Detyrat që i janë dhënë ushtrisë serbe janë “të sakta, të qarta” dhe “do të zbatohen plotësisht”, tha gjenerali serb, Milan Mojsiloviq për TV Pink të dielë, pasi tha se kishte biseduar me Vuçiqin në Beograd.
Në Serbi vlerësojnë se situata në kufi është “e ndërlikuar dhe komplekse” dhe se “kërkon prezencën e ushtrisë serbe në periudhën e ardhshme”.
Në mes të dhjetorit, Serbia ia dorëzoi zyrtarisht KFOR-it një kërkesë lidhur me dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Një zëdhënës i misionit të NATO-s në Kosovë i tha Gazetës Express të hënën se “kërkesa është ende në shqyrtim”.
“Përgjigja do të jepet sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë KFOR-i.
Pak para se shefi i ushtrisë serbe të nisej për në zonën kufitare, disa media serbe publikuan një video të shpërndarë në rrjetet sociale, në të cilën dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri. Sipas tyre, këto ishin “përleshje” të cilat pretendohej se kishin ndodhur të dielën mes forcave policore të Kosovës, të cilat u tha se “u pëpoqën ta hiqnin një barrikadë” të ngritur nga serbët.
Kryenegociatori serb, Petar Petkoviq e cilëson historike ditën kur Serbia i kërkoi KFOR-it kthimin e trupave policore dhe ushtarake në Kosovë. Në Beograd nuk presin përgjigje pozitive, por Petkoviqi thotë se me këtë lëvizje Vuçiqi e vuri Perëndimin “në një situatë shumë të vështirë”.
“Është e qartë se Perëndimi nuk dëshiron të lejojë kthimin e forcave tona të sigurisë në Kosovë, por me një kërkesë të bazuar dhe të argumentuar, presidenti Vuçiq i ka vënë në një situatë shumë të vështirë sepse nuk mund ta gjejnë një justifikim të thjeshtë për refuzimin dhe për këtë arsye jemi dëshmitarë të një zvarritjeje të tillë”, tha Petkoviq në një intervistë për “Kurir”, një nga mediat e shumta të kontrolluara nga Vuçiqi.
Këto media raportuan dje se shtetet e QUINT-it ia kanë dërguar një ultiamtum Vuçiqit për barrikadat. Sipas tyre, Serbia ka 24 orë afat për t’i hequr, dhe se nëse kjo nuk ndodhë, Qeveria e Kosovës nuk do të pengohet që t’i heq ato.