Kurti: Në Ballkan kemi parë prova të hegjemonisë pansllave

Kurti: Në Ballkan kemi parë prova të hegjemonisë pansllave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se një grup i vogël i serbëve të Kosovës shfrytëzohen nga Beogradi, derisa ka folur për situatën në veri gjatë muajve të fundit.

Ai, në një intervistë për mediumin zviceran Tages-Anzeiger, është pyetur për barrikadat që ishin të vendosura në veri, si dhe për kundërshtimin e përdorimit të targave RKS.

“A do ta pranonte Zvicra nëse një pakicë në vend do të udhëtonte me targa italiane apo franceze për vite me radhë? Shumica dërrmuese e serbëve në veri të vendit tonë nuk kanë asnjë problem me targat e Kosovës. Një grup i vogël shfrytëzohet nga Beogradi”.

“Njerëzit e armatosur pas barrikadave nuk janë të interesuar për të drejtat, por për kontrollin e territorit në kufirin me Serbinë. Ata duan të mbrojnë veriun e Kosovës si zonë pa ligj. Ne kemi hulumtuar gjashtë laboratorë droge. Askush nuk i paguan faturat e energjisë elektrike”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se në Ballkan ditëve të fundit ka parë prova të ‘hegjemonisë pansllave’.

“Do të ishte e papërgjegjshme të thuhet se nuk ka rrezik përshkallëzimi. Që nga sulmi i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt, ne kemi parë prova të hegjemonisë pansllave, siç janë stërvitjet e përbashkëta ushtarake midis Serbisë dhe Rusisë. Edhe disa qindra njerëz mund të shkaktojnë dëme të mëdha”.

“Moska pretendon kontrollin e Ukrainës dhe Bjellorusisë. Beogradi dëshiron të kthejë Malin e Zi, Republikën Sërpska të Bosnjës dhe Kosovën veriore në sferën e tij të influencës. Serbia i sheh fqinjët e saj vetëm si entitete të përkohshme. Problemi ynë është se partnerët tanë perëndimorë besojnë se Serbia po drejtohet vetëm nga oportunizmi, është në pritje të rezultatit të luftës në Ukrainë dhe do të orientohet qartë drejt Evropës pas përfundimit të epokës së Putinit. Kjo është naive. Aleksandar Vuçiq më shumë pret kthimin e Donald Trump në Uashington sesa fundin e luftës në Ukrainë. Lidhjet mes Serbisë dhe Rusisë janë shumë më të thella. 80 përqind e popullsisë ka një opinion pozitiv për Vladimir Putin. Serbia e sheh veten si pjesë e një sfere pan-sllave, ortodokse jashtë Evropës”.

Related Articles