Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJED) ka vendosur në favor të ankesës së Spanjës dhe ka përjashtuar Kosovën nga pjesëmarrja në Organin e Rregullatorëve Evropian të Komunikimeve Elektronike (ORECE).
Në një aktgjykim të publikuar këtë të martë, Gjykata e Lartë e BE-së konsideron se Komisioni Evropian – i cili në vitin 2019 e lejoi Kosovën të marrë pjesë në grupet punuese të këtij organi – nuk ishte “kompetent” për të miratuar një vendim të tillë, raporton mediumi spanjoll Diario16.
Megjithatë, trupi gjykues i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë ka argumentuar se qëndrimi i tyre nuk ka lidhje me faktin se Kosova nuk është njohur si shtet sovran brenda Bashkimit Evropian.
Mosmarrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë organ evropian ishte ngritur në mars të vitit 2019, kur Komisioni Evropian kishte autorizuar disa vende të Ballkanit – përfshirë Kosovën – të marrin pjesë në detyrat e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve rregullatore kombëtare dhe BEREC.
Tre muaj pas këtij vendimi, Spanja kishte paraqitur një ankesë në Gjykatën e Bashkimit Evropian (GJED) për ta anuluar atë.
Spanja kishte tentuar ta bllokonte pjesëmarrjen e Kosovës edhe më parë, por ankesa ishte hedhur poshtë herën e parë nga Gjykata e Drejtësisë së BE-së. Më pas, Spanja ishte ankuar në Apelin e Gjykatës së Drejtësisë të BE-së dhe e ka fituar tashmë lëndën.