Ish i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka kërkuar që të krahasohen rrethanat në këtë proces mes kohës së Trumpit dhe Bidenit.
“Jam shumë i shqetësuar që Kurti refuzon idetë amerikane, vazhdon të i refuzon idetë evropiane dhe nuk i merr pasojat. Kjo do të vazhdojë derisa të mos ketë presion nga SHBA-ja, për momentin nuk ka pasoja”, tha Grenell në një paraqitje në mediumin serb, Dnevnik.
Ai pati kritika edhe për moszbatimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë që ishin arritur gjatë kohës së tij.
Sipas tij, administrata aktuale ka dërguar njerëz të nivelit më të ulët politik në çështjen e dialogut duke i lënë efektivisht evropianët që të merrnin kontrollin e procesit.
Grenell pati kritika edhe për planin franko-gjerman duke thënë se është i padetajuar.