Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një tjetër video të martën, ku ka folur për infrastrukturën rrugore dhe projektet e ngelura nga qeveritë e kaluara.
Në videon e tyre thuhet se “me punë të mbrapshta dhe plane të zhvatjes na kanë bllokuar rrugët kryesore për vite, por qeverisja e re tashmë i ka zhbllokuar ato dhe ka filluar punën për t’i përfunduar ato projekte”.
Bëhet fjalë për rrugët dhe akset rrugore Prishtinë – Podujevë, Prishtinë – Mitrovicë, Prishtinë – Gjilan, Prishtinë – Pejë dhe Kievë – Zahaq, të cilat sipas tyre tashmë janë në rrugë të drejtë për t’u jetësuar.
“Vetëm në aksin Kievë-Zahaq të rrugës Prishtinë – Pejë ishte planifikuar një plaçkitje e madhe e buxhetit të vendit. 240 milionë euro do t’i kushtonte Kosovës hajnia në emër të ndërtimit e shpronësimit. Por e parandaluam. Me qeverinë aktuale ky ndërtim e shpronësim nuk do të kushtojë më shumë se 90 milionë euro”, thuhet në videon e partisë në pushtet.
Vetëvendosje ka akuzuar qeveritë e kaluara për borxhe milionëshe të shpronësimeve, derisa “buxheti i gjetur që ka qenë i planifikuar për kthimin e këtij borxhi ka qenë vetëm 2 milionë euro”.
“Ministria e Infrastrukturës është gjetur me 182 milionë euro borxhe të shpronësimeve, ndërkaq buxheti i gjetur që ka qenë i planifikuar për kthimin e këtij borxhi ka qenë vetëm 2 milionë euro. Ideja qartazi ka qenë aplikimi i kamatës prej 7% në vonesa, që të zhvatet për vjet e më shumë buxheti i shtetit”.
“Këtë nuk e arritën sepse i ndalëm dhe e kthyem situatën në 0 për t’ia filluar së mbari. Pa keqpërdorime dhe devijime. Pa haraç e kurdisje tenderësh. Me kosto të arsyeshme dhe cilësi të lartë”.
Tutje, thuhet se Qeveria Kurti ka shtruar rrugë në pjesën veriore të vendit duke lidhur fshatrat me qytetin e Mitrovicës.
“Do të vazhdojë me këto projekte rrugore që kanë rëndësi qendrore për infrastrukturën publike. Na kanë vonuar por nuk na kanë ndalur”.