Viti 2022 ka qenë një vit i rëndë për klubin e futbollit FC Besa, pasi nga Liga e Parë përfunduan në Ligën e Tretë, që është rangu më i ulët në futbollin kosovar. Situata e vështirë organizative dhe ekonomike ka vazhduar deri në përfundimin e sezonit vjeshtor 2022/2023.
Besa e Pejës sezonin vjeshtor u pozicionu në vendin e fundit më 12 humbje, 1 fitore, dhe një barazim nga 15 xhiro. Krejt kjo ndodhi për shkak se klubi ishte në prag të shuarjes, mirëpo me iniciativën e Adis Salihit i cili mban pozitën e drejtorit sportiv, klubi pejan e nisi sezonin 2022/2023 duke çaluar.
Përveç vështirësive financiare dhe organizative, te Besa e Pejës mezi bëheshin 11 lojtarë për lojë në sezonin vjeshtor, duke bërë që të luajnë lojtarë të gjeneratave U17 dhe U19.
Viti 2023 shënon 100 vjetorin e themelimit të Beses së Pejës. Ky vit e ka gjetur më të organizuar klubin, pasi kanë afruar në skuadër trajnerin dhe legjendën e këtij klubi, Haxhi Zeka dhe disa lojtarë me përvojë, me të vetmin synim mbetjen në këtë rang garash.
Drejtori sportiv i Besës, Adis Salihi në një bisedë për Gazetën Enigma ka treguar se e kanë nisur sezonin me lojtarë të gjeneratës U17 dhe U19 vetëm që mos të lejojnë shuarjen e klubit.
“Në fakt riorganizimin e kam fillu qysh në gusht kur veç është bërë lajm se Besa po shuhet. Në atë kohë kam arrit ditën e fundit me i bind futbollistët e U19 dhe U17 që të garojnë edhe në ekipin senior vetëm që të mos shuhet klubi, gjithmonë me shpresën se do të bëhet diçka në këtë gjysmë sezoni”, tregon Adisi për Enigmën.
“Çka ka qenë tepër e vështirë për këta futbollist të garojnë në tri kategori në të njëjten kohë. Në këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë për paraqitjet edhe pse s’kemi pasur rezultate”, tregon Adis Salihi për sakrificën e njomakëve të cilët i falënderon për kontributin e dhënë në sezonin vjeshtor.
Brenga e Besës para çdo loje ishte se si t’i grumbullonin 11 lojtarë për fillimin e ndeshjes, duke e lën në plan të dytë rezultatin.
“Qysh e ceka në fillimi që qëllimi ka qenë mos shuarja e klubit, domethënë vetëm paraqitja pa marrë parasysh rezultati, gjë e cila sigurisht ka qenë tepër e vështirë për faktin se çdo ndeshje nuk e dënim se a do të mblidhemi 11 lojtarë për të dalë në ndeshje, por ia arritëm me shumë vështirësi që sezona e parë përfundoi”, rrëfen Adis Salihi për Gazetën Enigma.
Salihi ka edhe disa falënderime për futbollistët dhe njerëzit që i kanë dalë në ndihmë klubit në këto kohra të vështira.
“Me iniciativë timen dhe me ndihmën e futbollistit me përvojë te Besa që ka ardh në ndihmë, Endrit Maloku, po ashtu nga ana organizative duhet falenderu edhe Blerim Kullashin si dhe drejtorin e klubit Dardania, Xhavit Nikqi, që na ka dalë në ndihmë në shumë aspekte. Sigurisht një meritë e ka pasur edhe trajneri Fisnik Papuqi i cili ka stërvit rregullisht me gjeneratat U17 dhe U19”, tregon ai.
Pushimi dimror i ka ndihmuar Besës që të mobilizohet për sezonin pranveror, pas gjatë kësaj periudhe kanë marrë mbështetje dhe ndihma në forma të ndryshme për t’i vazhduar garat.
“Pas përfundimit të sezonit vjeshtor, gjatë kësaj pauze kemi punuar shumë për të organizuar klubin dhe me të gjitha vështirësitë kemi marrë mbështetje nga shumë njerëz në qytetin e Pejës nga Kuvendi Komunal, nga diaspora dhe shumë ish-futbollist të KF Besës, në këtë mënyrë jemi organizuar për t’i filluar përgatitjet me kohë me afrimin e shumë futbollistëve në skuadër nga rajoni i Pejës”, potencon Adis Salihi.
Adis Salihi tregon ambicient që kanë në këtë sezon me Besën.
“Në postin e kryetrajnerit kemi emëruar Haxhi Xekën, njërin ndër emrat më të njohur në futbollin kosovar që na është afruar për të na ndihmuar në këtë rrugëtim të këtij sezoni, që synimi ynë i këtij sezoni është mbetja në lig, pastaj do të mendojmë për projekte tjera që FC Besa kthehet aty ku ka qenë gjithmonë në ekipet më të forta në futbollin kosovar”, thotë ai.
Adisit i vie keq për rënien e Besës, ai thotë se rënia e këtij klubi është humbje e madhe edhe për futbollin kosovar.
“Për gjendjen aktuale ku është Besa sigurisht që është e turpshme aq edhe e dhimbshme për t’u diskutuar shuarja e FC Besës, njëra ndër klubet me të suksesshme kosovare, kjo nuk është vetëm për Pejën por është një dëm edhe për të gjithë futbollin kosovar, sepse futbolli është sport i cili kërkon rivalitet edhe kështu Besa ka qenë gjithmonë një klub sa mikëpritës aq edhe rival për të gjithë ekipet kosovare”, shprehet ai.
Legjenda e këtij klubi, Haxhi Zeka zbulon për Gazetën Enigma se pse vendosi që ta marrë drejtimin e Besës për sezonin pranveror.
“Është shumë e vërtet se klubi është në gjendje jo të mirë, por me vullnetin e dia njerëzve ktu janë organizu që ta mbështetin klubin për mos me u shu, t’u e pa vullnetin e te tyre edhe unë shpreha dëshirën për t’i ndihmuar klubit për këta gjashtë muaj në pozitën e kryetrajnerit”, zbulon ai për Enigmën.
Haxhi Zeka i cili i ka nisur përgatitjet me klubin në pozitën e kryetrajnerit, thotë se i duhet shumë punë me lojtarët e tij për t’i përgatitur për fillimin e sezonit pranveror.
“Përgatitjet kanë filluar dhe jemi duke punuar çdo ditë, kemi një grup të lojtarëve në mosh të re dhe na duhet shumë punë për me i përgatit për fillimin e sezonit”, tregon Haxhi Zeka.
Ai tregon se cili është synimi i tij me Besën në këtë sezon, mirëpo atë e shqetëson gjendja e klubit, klub në të cilin ka luajtur gjatë tërë karrierës së tij.
“Synimi i yn është që klubi mos të shuhet deri sa t’i del dikush në ndihmë. Besa e dijmë ku e meriton me qenë, po këtu njerëzit e prunën në këtë gjendje për përfitimet e veta e tasht nuk po iu intereson shumë për klubin. Besoni është një dhimbje e madhe sidomos për mu që e kam lan karrierën për ëktë klub, por realiteti është ky në futbollin tonë”, tregon ai i emocionuar.
Besa ka fituar titullin e kampionit në vitet 2005, 2006 e 2007. Kupën e Kosovës e ka fituar në vitet 2006, 2011 dhe 2017 duke qenë njëri prej klubeve më të trofeshme në futbollin kosovar.
/GAZETA ENIGMA/