Pandemia, rritja e çmimeve të produkteve esenciale dhe lufta në Ukrainë janë disa nga shkaktarët që i vendosën dryrin shumë bizneseve, veçmas atyre në sektorin e gastronominë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Madje në vitin 2022 janë mbyllur rreth 100 biznese.
Kështu kanë bërë të ditur nga Oda e Afarizmit të Kosovës. “Numri i bizneseve që janë mbyllur gjatë vitit 2022 janë gjithësej 96. Mirëpo, për shkak të procedurave jashtëzakonisht të ndërlikuara dhe të tej zgjatura për shuarjen e biznesit ka shumë prej këtyre të fundit të cilat janë mbyllur por zyrtarisht nuk janë të deklaruara si të tilla. Arsyet e mbylljes së bizneseve janë nga më të ndryshmet në mesin e të cilave padyshim përfshihen ballafaqimi me pandeminë COVID-19, lufta në Ukrainë, ngritja enorme e çmimeve të pothuajse secilit produkt etj”, thuhet nga Oda e Afarizmit të Kosovës.
Në lidhje me këtë problematikë Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me kryetarin e Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, i cili ke theksuar se kjo gjendje i ka prekur edhe bizneset me frekuentimin më të madh në kryeqytet.
“Kemi informata që nëpër disa qytete sidomos aty ku ka edhe frekuentim më të vogël, ku kanë pasur edhe probleme të mëhershme nuk kanë mundur t’a përballojnë problemet që i kanë pasur me pandemi dhe së fundmi edhe me rritjen e çmimeve esenciale, duke përfshirë këtu edhe ndihmën e shtetit që nuk ju ka shkuar me kohë ata janë detyruar me e mbyll”, ka deklaruar ai.
Por në gjithë këtë “krizë” për gastronominë, diaspora vlerësohet se ishte një “infuzion”.
“Me ardhjen e diasporës si gjatë sezonës së verës edhe tani së fundmi e kanë bërë të vetën që në njëfarë forme këto kompani të rehabilitohen, jo me ndonjë fitim por thjesht të rehabilitohen që mos me ardhur deri te mbyllja”, tha Sogojeva.
Sogojeva ka deklaruar se në kohën e pandemisë gastronomia ka qenë sektori më i prekur. “Edhe pandemia dhe rritja e çmimeve kanë ndikuar në mbylljen e këtyre bizneseve, gjatë kohës së pandemisë ky sektor ka qenë më i atakuari, sektori më i prekur”, tha ai për Gazetën Enigma.
“Ligji për rimëkëmbjen si dhe rregullorja që është bërë, masat që janë marrë nga Qeveria, në përgjithësi nga të gjitha qeveritë që kanë qenë gjatë asaj kohe nuk kanë dhënë rezultate të mjaftueshme që këta të qëndrojnë në këmbë. Kjo e ka bërë të vetën që gjatë pandemisë këta kanë pësuar nokaut, kanë pësuar trauma”, tha ai.
Pas pandemisë, luftës në Ukrainë dhe me rritjen e çmimeve esenciale në dhjetor të 2022-ës, sipas tij ka bërë që rreth 42 për qind janë rritur edhe çmimet e produkteve që ofrojnë bizneset e gastronomisë.
Sipas Sogojevës ekzekutivi kosovar i la pa ndihma bizneset e gastronomisë, ndonëse premtoi se do t’i ndihmonte.
“Njëherë kanë pasur me i dhanë 220 mijë euro, pastaj me Kuvend është rritur në 400 mijë, por nuk janë shpërndarë si duhet. Ju kanë shpërndarë veprimtarive të cilat kanë punuar gjatë tërë vitit, edhe gjatë kohës së pandemisë pos që kanë punuar por kanë pasur edhe fitime marramendëse, edhe ju kanë ndarë në mënyrë proporcionale të gjithë punëtorëve të sektorit privat”, është shprehur ai për “Enigmën”./GAZETA ENIGMA/