Rritja e pagave prej këtij muaji për stafin shëndetësor nuk e ka bindur këtë të fundit që të vazhdojnë ta japin kontributin e tyre profesional në Kosovë.
Oda e Mjekëve të Kosovës ka bërë të ditur për Front Online statistika alarmante të braktisjes së sektorit publik nga mantelbardhët, duke kërkuar kushte më të favorshme në shtetin gjerman.
Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve ka bërë të ditur për Front Online se nga fillimi i vitit 2023 hiç më pak se 35 mantelbardhë e kanë braktisur Kosovën. Madje, nga kjo shifër, vetëm për pak ditë të këtij muaji (shkurt) 7 mjekë janë larguar nga Kosova.
“31 mjekë gjatë vitit 2023 janë larguar nga puna për të shkuar jashtë vendit. 24 janë larguar në muajin janar, ndërsa 7 për pak ditë të shkurtit”, tha kreu i Odës së Mjekëve.
Kreu i Odës së Mjekëve ditë më parë pati deklaruar se njëra ndër arsyet e ikjes së mjekëve është çështja e pagave.
Ai ka thënë se ka shumë arsyeje që çojnë profesionistët deri në largimin e vendit.
“Arsyet e mjekëve janë të shumta që po largohen nga vendi i punës për jashtë vendit. Vitin e kaluar përmes një sondazhi kanë qenë kushtet e punës, kualiteti i specializimeve dhe paga por këtë vit ka ndryshuar ky sondash dhe është arsyeja e parë është mundësia e punësimit e dyta është çështja e pagave dhe e treta kushtet e punës“, ka thënë Sejdiu për Front Online.
Ndryshe, Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së pati deklaruar se është duke e përcjellur me shqetësim të madh ikjen e profesionistëve shëndetësor nga QKUK, e në veçanti të infermierëve.
E fenomeni i largimit të profesionistëve shëndetësorë nga sistemi shëndetësor publik i Kosovës është paraqitur tash e disa vite, ku mjekët dhe infermierët destinacionin kryesor për të ushtruar profesionin e tyre e kishin Gjermaninë.
Qeveria e Kosovës ua ka ngritur pagat prej këtij muaji stafit shëndetësor, mirëpo frika e këtyre të fundit është se pagat u janë rritur, përderisa shtesat tjera si: Kujdestaritë, shujta, stazhi i punës u janë hequr ose zvogëluar, me ç’rast thonë se nëse hiqen shtesat e tilla atëherë të hyrat do t’u mbesin të njëjta.
Në Kosovë, paga e një mjeku specialist sipas Ligjit për Paga arrin në 1260 euro bruto, përderisa në Gjermani të njëjtëve po u ofrohen paga mbi 5000 euro dhe kushte shumë më të favorshme në punë.