Nga jashtë dukej si mekanik veturash, por brenda saj funksiononte diçka shumë më e vlefshme.
Në një garazh në rrugën Filip Vishnjiq në veri të Mitrovicës, ishte ngritur një laborator droge ku në këto vazo po kultivohej kanabis sativa nga e cila fitohet marihuana.
Kjo por edhe dy prona tjera në afërsi, ranë në sytë e forcave të rendit që edhe ndërhynë të dielën. Të zotët e tyre po vepronin pa qarë kokën për institucionet kosovare si Gjykatën Themelore në Mitrovicë të Veriut që e kishte fqinj.
Vlera e bimëve narkotike të kapura arrin shifrën e 2.3 milionë euro, ndërsa u prangosën dy nga tre pronarët serb që kanë të kaluar kriminale.
Rrjeti i këtyre kultivuesve të drogës, duket se ishte mirë i organizuar. Kreu i antidrogës në Policinë e Kosovës, Reshat Murseli, shton se gjatë 2022 u gjetën 10 laboratore droge ndërsa zotohet se lufta ndaj narkotikëve nuk do ndalet.