Tomë Gashi, avokati i familjes Dehari, njofton se ka paraqitur kërkesë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për marrjen në pyetje të deputetit Haki Abazi në cilësinë e dëshmitarit.
Kjo pasi ky i fundit sot mbajti një konferencë për media duke thënë se ka bërë një hulumtim lidhur me rastin Dehari dhe se lidhur me zhdukjen e mostrave të të ndjerit “ekzistojnë video-incizime me të cilat dihet qartë se kush ka hy te frigoriferi” në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Gashi me anë të një postimi në Facebook i kërkon Abazit që t’i dorëzojë provat në prokurori.
“Haki Abazi e ka borxh ndaj Astrit Deharit dhe e ka obligim ligjor që të dëshmojë dhe t’i dorëzojë të gjitha provat që ai pretendon se i ka në Prokurori, e që kanë të bëjnë me rastin e zhdukjes së mostrave biologjike dhe të gjakut të Astritit, të cilat janë zhdukur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, e që për zhdukjen e tyre është bërë e ditur para dy muajve”, shkruan avokati në postimin e tij.
Ai po ashtu ka bashkëngjitur edhe dokumentin e kërkesës ndaj prokurorisë, si përfaqësues juridik i familjes Dehari.