Sot përfundojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi, deri tash mbi 46 mijë viktima

Sot përfundojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi, deri tash mbi 46 mijë viktima
Presidenca Turke e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), ka thënë se operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar në shumicën e provincave, gati dy javë pas tërmeteve shkatërruese të këtij muaji në Turqi dhe Siri.

“Numri i të vdekurve për shkak të tërmeteve u rrit në 40,642 dhe puna e kërkimit dhe shpëtimit për njerëzit e ngecur nën rrënojat ka përfunduar në shumicën e provincave”, tha kreu i AFAD-së, Yunis Sezar.

“Ne besojmë se do t’i përfundojmë operacionet e kërkim-shpëtimit deri sot në mbrëmje”, shtoi ai.

Një tërmet me magnitudë 7.8 goditi pjesën juglindore të Turqisë dhe Sirinë fqinje më 6 shkurt, duke vrarë më shumë se 45,000 njerëz dhe duke lënë më shumë se një milion njerëz të pastrehë, së bashku me një kosto ekonomike që pritet të shkojë në miliarda dollarë.

Në Siri, janë raportuar më shumë se 5,800 vdekje, kryesisht në veriperëndim. Shifra nuk ka ndryshuar për disa ditë, raporton AlJazeera, transmeton Klankosova.tv.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se rreth 26 milionë njerëz në të gjithë Turqinë dhe Sirinë kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Related Articles