Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të fillojë më 3 prill.
Në kalendarin e Dhomave të Specializuara është bërë e ditur se më 3, 4, 5 dhe 11 prill do të mbahen seancat e para të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Gjykimi ishte paraparë të niste më 1 mars, mirëpo që është shtyrë me kërkesë të mbrojtjeve dhe me pajtim të prokurorisë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.