Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, pas raportimeve se është publikuar aneksi i propozimit të BE-së, ka thënë se kjo nuk qëndron.
Ai tha se zbatimi i këtij propozimi, për të cilin dy palët ranë dakord dje në Bruksel në takimin trilateral, do të diskutohet në takimet e tjera.
“Raportimi për dokumentin, i referuar si Aneksi i Propozimit Evropian, është i pasaktë dhe i paqëndrueshëm. Për Planin e Zbatimit do të diskutohet e negociohet në takimet e radhës. Do të kemi diplomaci fluturuese të emisarit Lajçakut në Prishtinë e Beograd dhe pastaj takim të shtatë të nivelit të lartë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell dhe emisarit Lajçak”, ka shkruar ai.
Kryeziu tha se Në takimin e djeshëm ka pasur dakordim për marrëveshjen bazë, e cila tashmë edhe është publike në faqen e BE-së.
“Ajo që është pranuar, është vetëm ajo që është publikuar nga Bashkimi Evropian”.