Panadic për Enigmën: Synimi kryesor i Ferizajt është mbetja në Superligë

Panadic për Enigmën: Synimi kryesor i Ferizajt është mbetja në Superligë

Ferizaj e nisi sezonin pranveror me shumë ndryshime sezonin pranveror, pas një fillimi katastrofik në 18 xhirot e para në sezonin vjeshtor.

Nga 18 ndeshje, skuadra e Ferizajt kishte arritur vetëm 13 pikë, duke u pozicionuar në vendin e fundit.

Pas rezultateve të dobëta nën drejtimin e Arbnor Morinës, Ferizaj i befasoi të gjithë me zëvendësuesin e Morinës, duke e emëruar në vend të tij trajnerin e njohur nga Kroacia, Andrej Panadic.

Ardhja e 53-vjeçarit u prit me skepticizëm në futbollin kosovar. Aventura e Panadicit nuk nisi mirë te Ferizaj, pasi i pësoi pesë humbje, dy barazime dhe vetëm një fitore nga tetë ndeshje në sezonin vjeshtor.

Rezultatet e dobëta, bën që Ferizaj të bënte ndryshime për sezonin pranveror duke transferuar lojtarë të rinj me qëllimin e vetëm, arritjen e rezultateve pozitive për të mbijetuar në Superligë.

Ndryshimet në ekip deri tani kanë qenë të qëlluara, pasi nga katër ndeshje, djelmoshat e udhëhequr nga trajneri Andrej Panadic, i kanë fituar dy ndeshje dhe dy barazime, shkruan Gazeta Enigma.

Pas fitores së madhe ndaj Dritës, Ferizaj pas një kohë të gjatë është larguar nga pozita e fundit, duke u ngjitur për një vend me 21 pikë, duke e lën Drenicën të fundit me 20 pikë.

Trajneri kroat i Ferizajt, Andrej Panadic në një bisedë për Gazetën Enigma ka folur për ecurinë e klubit të tij në sezonin pranveror.

Panadic thotë se ishte shume optimist, ai thotë se ishin përgatitur mirë për fillimin e sezonit pranveror dhe lojtarët e tij luajtën mirë për të marrë rezultate pozitive.

Isha shumë optimist, nuk mund të them se prisja diçka. Ne jemi përgatitur shumë mirë për fillimin e sezonit pranveror. Djemtë kanë luajtur mirë taktikisht dhe çka ishte më e rëndësishme ata ishin shumë agresiv dhe dëshironin rezultat pozitiv”, thotë Panadic për Gazetën Enigma.

Trajneri i njohur kroat thotë se çelsi i suksesit nuk është vetëm një gjë, sipas tij janë shumë gjëra që ndërlidhen me njëra-tjetrën.

Ju nuk mund të thoni se çelësi i suksesit është vetëm një gjë, janë shumë gjëra që ndërlidhen me njëra tjetrën. Në skuadër pati ardhje të reja dhe largime, po ashtu ka pasur edhe shumë lojtar të lënduar që kanë ardhur te ne të lënduar, por ata kanë shkuar duke u përmirësuar”, thotë 53-vjeçari.

 Ai thotë se komponimi mes lojtarëve me përvoje dhe atyre të rinjve, ka bërë që të arrijnë deri te suksesi.

Kemi lojtarë të rinj, të cilët janë të mrekullueshëm që e kanë nisur sezonin mirë. Po ashtu kemi edhe lojtarë tjerë të cilët janë fantastik nga pjesa e parë e kampionati. Ne jemi përgatitur shumë mirë duke i luajtur shumë ndeshje dhe kjo na ka përmirësuar gatishmërinë dhe njohuritë tona taktike. Të gjitha këto i kemi arritur së bashku, ky është çelësi i suksesit”, shprehet Panadic.

Synimi kryesor i Ferizajt, sipas Panadic është që të mos largohen nga Superliga.

Puna ende nuk ka përfunduar. Ne do të luftojmë deri në fund që t’i arrijmë synimin tonë i cili është të mbesim në Superligë”, thotë ai.

Andreja Panadic thotë se mendon vetëm për ndeshjen e radhës dhe mundohet që ta përgatis në mënyrën më të mirë të mundshme.

Çdo ndeshje është e rëndësishme për mua. Për secilën ndeshje përgatitna veç e veç, nuk mendoj për ndeshje tjera, por vetëm për ndeshjen e radhës. Ndeshja e radhës është ajo ndaj Drenicës, dhe është saktësisht ajo që luajtëm xhiron e kaluar. Ne e marrim seriozisht secilën ndeshje dhe e përgatisim në mënyrën më të mirë të mundshme”, tregon Panadic i cili do të përballet me Drenicën në Skenderaj të shtunën në kuadër të xhiros së 23-të në Superligë.

Trajneri i shumë skuadrave të njohura kroate i thur lavde futbollit kosovar, ai thotë se futbolli në Kosovë është duke u zhvilluar shumë. Panadic thotë se po e shijon futbollin kosovar.

Futbolli i juaj është duke u zhvilluar shumë mirë, Kosova ka shumë talent të futbollit. Disa klube kanë treguar paraqitje fantastike në garat evropiane siç është Ballkani. Ata kanë bërë paraqitje fantastike duke e prezantuar futbollin kosovar në mënyrë të mirë në Evropë. Të gjithë ne duhet të ndihmojmë në rritjen dhe progresin futbollit. Po e shijoj shumë futbollin këtu në Kosovë duke punuar te Ferizaj” thotë ai për Gazetën Enigma.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles