Shumë pensionistë në muajin shkurt mbesin pa pensionet e tyre, kjo është arsyeja

<strong>Shumë pensionistë në muajin shkurt mbesin pa pensionet e tyre, kjo është arsyeja</strong>

Shumë pensionistë në muajin shkurt mbeten pa pensionet e tyre për shkak të mos paraqitjes me kohë për tu lajmëruar në Zyrën e Pensioneve.

Çdo gjashtë muaj, ata duhet të konfirmojnë se janë të gjallë për të vazhduar të gëzojnë pensionet e tyre, shkruan Gazeta “Enigma”.

F. Aliu, pensioniste 77 vjeçare nga Komuna e Gjilanit çdo gjashtë muaj paraqitet në Zyrën e Pensioneve. Aliu merr vetëm pensionin e pleqërisë në shumën prej 100 eurove.

“Duhet të largohet ky afat. Është gajle ta mbash në kokë afatin që ke për t’u lajmëruar çdo gjashtë muaj. Unë në muajin e kaluar nuk e kam marr pensionin, pasi që nuk më është kujtuar se kisha pas me u lajmërua”, tha Aliu për “Enigmën”.

Ndërsa nga zyrat e pensionistëve tregojnë se kjo gjë nuk varet nga ta por nga ligjet e shtetit tonë.

Shpresa Kosumi zyrtare nga Administrata e Pensioneve në Gjilan në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka dhënë detaje në lidhje me afatin e paraqitjes së pensionistëve çdo gjashtë muaj në zyrat e tyre për lajmërim dhe për të drejtat e pensionistëve.

“Sipas ligjeve të Kosovës pensionistët duhet të lajmërohen çdo gjashtë muaj, pra dy herë në vit. Programi automatikisht pas gjashtë muajve nëse nuk lajmërohen i suspendon automatikisht, i presim edhe tre muaj nuk iu ndërprehen dhe në momentin e lajmërimit iu procedohen mjetet e tyre”, tha ajo.

Tutje ajo ka sqaruar se nëse nuk lajmërohen brenda kësaj kohe atëherë duhet të vazhdojmë me procedurat tjera.

“Nëse pensionistët nuk lajmërohen brenda tre muajve atëherë fshihen nga sistemi dhe po të njëjtit duhet të lajmërohen me hapa fillestar që të regjistrohen si pensionit me procedura të ri aplikimit”, ka deklaruar Kosumi.

Ajo ka dhënë detaje edhe për pensionistët që ndërrojnë jetë dhe për procedurat pas marrjes së certifikatës së vdekjes.

“Në momentin që merret certifikata e vdekjes aj pensionist fshihet automatikisht nga lista e pensionistëve. Vlen të theksohet se për çdo pensionist pa marrë parasysh për datën e vdekjes, pra fillimi ose fundi i muajit edhe për at muaj dalin mjetet edhe pse është i vdekur”, tha Kosumi për “Enigmën”.

Praktika e paraqitjes së të moshuarve është kundërshtuar fuqishëm, përveç nga pensionistët edhe përfaqësues të tyre e shoqëria në përgjithësi.

Për këtë, Ministria e Financave, në fillim të këtij muaji ka filluar pilotimin e një projekti që përmes ekipeve mobile, të bëhet evidentimi i pensionistëve mbi moshën 85 vjeçare, por kjo aktualisht vlen vetëm për komunat e rajonit të Prishtinës.

Por në komunat e tjera të vendit, pensionistët, çdo 6 muaj obligohen të paraqiten fizikisht në zyrat e pensioneve. Ministria nuk ka treguar nëse aktualisht pilot-projekti, synon shtrirjen edhe në komuna të tjera.

Paraqitja e kërkesës, bëhet në formë elektronike, të paktën 7 ditë para datës kur do të duhej të paraqiteshin në departamentin e Pensioneve.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles